E Diel, 1 Nëntor 2026

Delia për herë të parë në Tiranë me veprën e plotë



Alma Mile

Aty është e gjithë bota e tij piktorike, rravgimet përmes fantazisë në vendin ku u lind, njerëz që i deshi, copëza jete, nga vendi që e mirëpriti... Për herë të parë, dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u hap një ekspozitë e plotë me veprat e piktorit Lin Delija. Ekspozitë e cila u shoqërua edhe me një tryezë të rrumbullakët rreth krijimtarisë së tij, titulluar "Lin Delija: Rrugëtime paralele". Janë mbi 50 vepra, të cilat ekspozohen për herë të parë në Shqipëri. Për Lin Delinë, piktorin e lindur në Shkodër në 1926, emigruar në Itali prej vitit 1955, ku edhe vdiq në vitin 1994, është si të kthehet në shtëpi. Për organizatorët e këtij aktiviteti, pas ngritjes së muzeut "Lin Delija - Carlo Cesi", në Antrodoko, hapja e një ekspozite pikture në Shqipëri është një etapë e rëndësishme në rrugëtimin e rivlerësimit të punëve të piktorit. Drejtoresha e muzeut, Antonella Muzi thotë se hapja e kësaj ekspozite vjen si rrjedhojë e bashkëpunimeve të ngushta dhe shkëmbimeve të shpeshta kulturore mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë.
"Kjo ekspozitë tenton të rindërtojë në mënyrë kronologjike rrugëtimin kërkimor të Lin Delisë. Pikturat janë zgjedhur nga koleksione private dhe publike. Veç pikturave është edhe një seri vizatimesh të zgjedhura. Ekspozita prezanton punën e një artisti shqiptar, i cili i mërguar nga toka e tij, ka mundur të shprehë kërkimin e tij, pa iu nënshtruar regjimit. Ka mundur të trajtojë tema religjioze, politike, sociale, pasi gjatë viteve të regjimit ai ka jetuar në Itali. Dhe prezantimi i artit të tij, në atdhe, tashmë të lirë nga kushtëzimet, është një sinjal i një rëndësie të madhe", thotë ajo, teksa shton se çdo ekspozitë, e organizuar në mënyrë shkencore, sjell një pasurim si për shoqërinë, ashtu edhe për institucionet e përfshira në të. "Mbi të gjitha ndihmon në studimet përreth artistit, për të cilin kritika është shprehur gjithnjë pozitivisht. Por që gjithsesi ka ende shumë për të thënë e për të bërë", thotë Antonella Muzi. Dhe në të vërtetë në të gjallë të artistit, në Shqipëri pak, ose asfare është folur për të. Kjo për shkak se ai e ndërtoi karrierën e tij artistike përtej detit dhe gjatë viteve të regjimit komunist, ishte "herezi" të flitej për të, ashtu si edhe për Ibrahim Kodrën, apo Artur Tashkon. Familja e Lin Delisë ishte një ndër të parat e internuara, me ardhjen në pushtet të komunistëve dhe në moshën 19-vjeçare, Lin Delija arratiset drejt ish-Jugosllavisë, ku do të nisë studimet në Zagreb e më pas do të shkojë në Itali, ku do të studiojë në Akademinë e Romës. Do të vendosej në Antrodoko, që i kujtonte shumë qytetin e lindjes e shumë shpejt fillon të ekspozojë, jo vetëm aty, por edhe në shumë qytete të Italisë e jashtë saj, deri në Gjermani e Nju Jork. Veprat e tij janë bërë pjesë e shumë koleksioneve publike e private. Një punë e tij, "Fytyra e Krishtit" ndodhet në Vatikan. Lind Delija u nda nga jeta në vitin 1994, në një moshë ende krijuese, 68-vjeçare, pas një hemorragjie cerebrale. Vite më vonë, në Galerinë Kombëtare të Arteve do të çelej një ekspozitë me 27 piktura të piktorit, të cilat ofruan një panoramë të përgjithshme mbi veprën e Lin Delisë. Këto vepra janë tanimë në fondin e GKA-së.
Por në ekspozitën e hapur dje, ai vjen më i plotë. Veprat i përkasin periudhave të ndryshme të krijimtarisë. Po kështu edhe tematika. Në veprën e tij spikat elementi shqiptar. Në shumë syresh dallohen lehtësisht veshjet popullore shqiptare, në veçanti ato të veriut. Burrat me tirqet e bardha me vijë të zezë në anë, dhe gratë me fustanet valë-valë dhe shamitë në kokë. Për disa syresh, ai është frymëzuar nga vendlindja e tij, Shkodra. Tema religjioze zë gjithashtu një vend të veçantë në veprën e tij. Menjëherë, sapo hyn në hollin e Muzeut Kombëtar dhe drejtohesh kah këndi, ku janë vendosur veprat e artistit, menjëherë të bie në sy, një tablo e përmasave të mëdha, ku është pikturuar Krishti i kryqëzuar. Interes të veçantë paraqet edhe portreti i Padre Anton Harapit, të cilën e ka realizuar në vitin 1978, vendosur në krah të tablosë së Krishtit, si për të na kujtuar se Padre Anton Harapi, ishte gjithashtu një martir i kohëve të diktaturës. Imazhi i femrës, gjithashtu është i pranishëm në veprat e Delisë. Herë si një shenjtore, herë si vajza e rrugicës së gurtë në Antrodoko, që u bë edhe atdheu i tij i dytë e që i ka kushtuar shumë vepra. Disa ditë më parë, një seri punësh të Lin Delisë u ekspozuan në ambientet e Presidencës shqiptare, me rastin e akordimit të urdhrit "Nderi i Kombit" nga Presidenti i Republikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›