Një dramë antiracizëm në skenën e Kombëtarit
Nuk është thjesht një dramë mbi rëndësinë e artit, por më së shumti mbi sjelljen njerëzore. Mbi reagimin ndaj të ndryshmit, atij që është me ngjyrë, që ka të tjera preferenca, të tjera zgjedhje. "Koleksioni i përhershëm", një dramë e Thomas Gibbons vjen në skenën e Teatrit Kombëtar, si premiera e fundit e këtij sezoni artistik. Një vepër e veçantë me regji të afro-amerikanit Clarence Gilyard. Gilyard nuk sjell në Tiranë vetëm një frymë tjetër në mënyrën e të konceptuarit të një spektakli teatror, por edhe nostalgjinë e filmave aksion me protagonistë aktorët Chuck Norris, Tom Cruis, apo Bruce ëillis, ku ai ka marrë pjesë. Dje, në një konferencë për shtyp, Gilyard u shpreh se "Koleksioni i fundit" është një sfidë regjisoriale dhe aktoriale, për të cilën ai ka shumë shpresa se do të shkojë shumë mirë, pasi vepra i përshtatet situatës politike në vend. "Në premierën e parë të kësaj shfaqjeje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam kuptuar se mesazhi i veprës nuk njeh kufij gjeografikë. Kjo është një pjesë me tematikë politike, por edhe artistike. Ky projekt nënvizon rolin e rëndësishëm të artit në zgjidhjen e konflikteve të dallimeve racore, klasore dhe në çdo fushë të jetës. Por mbi të gjitha është një vepër që sjell kënaqësi dhe argëtim në teatër", u shpreh regjisori, i cili ndodhet në Tiranë prej fillimit të muajit maj. Për vendosjen e kësaj shfaqjeje në Shqipëri, atë e ndihmoi shumë edhe atmosfera politike që gjeti këtu, në veçanti greva e urisë e zhvilluar nga opozita, në qendër të Tiranës. Gilyard vlerësoi nivelin e aktorëve shqiptarë, duke thënë se nëse, "të gjithë aktorët e Teatrit Kombëtar janë të këtij niveli, atëherë ju keni një pasuri të vërtetë". Në veçanti ai vlerësoi aktorin Mirush Kabashi, i cili është edhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë në këtë pjesë, si dhe aktoren Tinka Kurti, të cilën e konsideroi "një mrekulli". Kabashi, i cili ka ndihmuar në mundësimin e ardhjes së artistit afro-amerikan, në Tiranë, veçse tregoi kënaqësinë e këtij bashkëpunimi, shprehu edhe keqardhjen, që ky moment i erdhi shumë vonë, gati në fund të karrierës së tij. Ai do të kishte dashur që ardhja e aktorit dhe regjisorit Clarence Gilyard, i cili prej vitesh i është kushtuar punës si pedagog, nuk u shfrytëzua prej kineastëve të rinj shqiptarë, të cilët ndërsa bëjnë të pamundurën për të siguruar specializime jashtë shtetit, nuk u qasën të merrnin pak eksperiencë, nga një emër i njohur si Gilyard.
Realizimi i veprës "Koleksioni i fundit" ka nisur dy vjet më parë, nga një letërkëmbim mes aktorit Kabashi dhe artistit Gilyard, i cili më në fund pranoi bashkëpunimin me Teatrin Kombëtar shqiptar. është punuar gjatë për ngritjen e veprës, në mënyrë që ajo t'i rrijë për shtat aktualitetit shqiptar. Ajo trajton temën e racizmit, intolerancës, integrimit, pushtetit... Ndërkohë që kasti i aktorëve i përket trupës së TK-së, por edhe jashtë saj, si aktoret Tinka Kurti e Ema Andrea. "Koleksioni i përhershëm" vjen si një bashkëpunim me Teatrin Kombëtar dhe Ambasadën Amerikane.
Vepra
Titulli: "Koleksioni i përhershëm"
Autori: Thomas Gibbons
Përktheu: Pirro Dollani
Regjisor: Clarence Gilyard
Skenograf: Bashkim Zahaj
Kostumograf: Edlira Qyshka
Interpretojnë : Clarence Gilyard ,Mirush Kabashi,Ema Andrea,Fatos Sela, Tinka Kurti, Esmeralda Metka