I këndoj ndjenjës, por në fakt nuk jam gati të jap shumë për dashurinë
Për stilin e tij të të kënduarit mund të kishim pritur çmimin “Pop’N’Rock” në finalen “Top fest 7”. Po për 20 vitet e moshës që ka nuk mund të kishte çmim më të dëshiruar për vetë Valonin se sa “Artisti më i mirë mashkull”. Nga një 16 vjeçar që i gëzohej kupës si fituesi i “Star Akademi” në vitin 2006, tani mendon se si ta çojë suksesin më tej. Ndërkohë që ka nisur studimet në fakultetin e Gjeografisë në Gjakovë, Valon Shehu tregon më shumë për jetën e tij si artist:
Valon nëse të pyesin nga pozitat e artistit mashkull më të mirë, ç’mendim ke për vajzat shqiptare?
(qesh) Janë më të mirat dhe më të bukurat në botë.
E çfarë do të thotë për ty çmimi “Artisti mashkull më i mirë” me të cilin u vlerësove në “Top fest 7”. Prisje kupë tjetër?
Hmmm. Për mua ky çmim do të thotë shumë. E vlerësoj këtë çmim pasi unë u zgjodha “Artisti mashkull më i mirë” nga gjithë ata artistë të tjerë meshkuj që ishin po ashtu shumë të mirë. E them me sinqeritet që ishte ky çmimi që kam pasur si synim ta fitoj dhe fatmirësisht e fitova. Nuk prisja çmim tjetër.
Tani gjithçka ka mbaruar, po para ndarjes së çmimeve kë shihje si konkurrent të fortë nga këngëtarët apo grupet?
Në fakt kishte shumë këngë të mira, por konkurrentë më të fortë për mua ishin grupi “Troja”, “NRG band” dhe Eneda Tarifa.
U prezantove me një këngë të kompozuar nga Alban Male me titull “Sa kushton një yll”. Dominojnë këngët e dashurisë në repertorin tënd, ka ndonjë inspirim nga jeta jote?
Titullin e këngës nuk e kam vendosur unë por autori i tekstit Olti Curri, dhe nuk është një fabul që ka të bëjë me jetën time private.
Pse çfarë dashurie je duke jetuar realisht?
Në fakt unë jam në një lidhje për momentin, po nuk është se jam i dashuruar 100 për qind. Mendoj se nuk është një lidhje “serioze” për faktin se unë si Valon nuk jam i koncentruar 100% në dashuri. E them hapur që nuk jam i gatshëm të jap shumë për dashurinë, nuk jam i përgatitur, pasi jam edhe shumë i ri.
çfarë kërkon tek një femër që ajo të mund të të plotësojë gjysmën tjetër, ose që të të pushtojë?
Sa i përket bukurisë së jashtme nuk është që kam ndonjë preferencë të përcaktuar, por kam dëshirë që ajo të jetë shok me mua së pari, të ndjehem i lirë që të flas me të për gjithçka, dhe të ketë karakter të fortë. Pra të jetë sa më shumë vetvetja dhe mos të jetë femer që ka ndikim nga njerëzit që e rrethojnë, pra të jetë origjinale.
Kthehemi tek muzika dhe shumë këngë të tuat të krijuara nga Alban Male. Kur e ka fillesën ky bashkëpunim?
Albani më ka parë në “Star Akademi” dhe është interesuar të kontaktojë me mua. Momentin që u takuam ai më ofroi që të më kompozojë një këngë për “Top Fest”. Ramë dakord dhe kështu filloi bashkëpunimi ynë që deri tani ka rezultuar me pesë këngë dhe me një miqësi të mirë.
Ndërkohë, ti vazhdon jeton në Gjakovë edhe pse karrierën e ke ndërtuar në Tiranë. Ke menduar ta lësh Kosovën si shumë këngëtarë të tjerë nga Prishtina?
Jo, ende nuk e kam menduar. Unë në Tiranë zakonisht vij kur jam pjesëmarrës në ndonjë festival dhe kur kam për të performuar “live” në lokale të ndryshme. Dhe do vazhdoj kështu.
Këndon muzikë pop and rock, po cilët janë idhujt e tu në muzikë?
Po, në skenë unë këndoj pop and rock, ndërsa në lokale ku këndoj “live” luaj muzikë të ndryshme si; rock, rock”n”roll, blues, pop. Përsa u përket shijeve të mia, nga këngëtarët shqiptarë më pëlqen Elton Deda, ndërsa nga të huajt, David Coverdale dhe Chris Cornell.