Bogdani: Mihajloviç më telefononte çdo ditë
Leonard Karaj
Erjon Bogdani ka qenë një prej më të dëshiruarve nga serbi Sinisa Mihajloviç. Një gjë të tillë e ka pohuar vetë futbollisti në një intervistë për mediat veroneze. I larguar tashmë nga Kievo Verona, sulmuesi shqiptar ka treguar të gjitha detajet e "divorcit" me këtë klub si dhe ofertat që ai ka apsur dhe ka në vazhdim. Bogdani ka konfirmuar se në merkaton e janarit telefonohej çdo ditë nga trajneri i Kkatanias, Mihajloviç, me qëllim që ai ta bindte që të shkonte tek kjo skuadër. Por drejtuesit e Kievos, në fillim nuk pranuan ta largonin nga ekipi dhe më pas i ofruan një rinovim kontrate prej vetëm një sezoni.
Në fund të këtij sezoni t’u desh të qëndroje në stol ose edhe në tribunë, jeni ndjerë keq besoj?
Pak, po por kur je në fund të kontratës këto gjëra edhe kuptohen vetvetiu, pasi klubi preferon të përkrahë mbi të tjerë futbollistë.
Drejtuesit e Kievos të ofruan një rinovim...
Po, dy-tre muaj më parë më thirrën në zyrë dhe më ofruan një kontratë për një vit. E refuzova, pasi jam i bindur se mund të luaj edhe për të paktën 2-3 vjet në nivele të larta. Të rinovoja vetëm për një sezon nuk më dukej gjëja më e mirë për tu bërë.
Po tani?
Tani për tani po mendoj për martesën (do martohet ditën e hënë në Salerno, Itali) dhe më pas do vendos për të ardhmen time. Kam dy-tri oferta nga Italia, por edhe diçka më konkrete nga jashtë.
Do të luaje edhe në Serie B?
Varet nga programi që mund të më servirë klubi. Nëse ky klub do të ishte Siena, sa për t’u sqaruar, nuk do të kisha asnjë problem ,sepse e di që ajo skuadër ka si synim ngjitjen menjëherë në Serie A.
Po nëse të bën ofertë Verona?
Do të flisja si fillim me drejtuesit, pasi siç ua thashë, dua nj skuadër, e cila të pretendojë për t’u ngjitur në elitën e futbollit italian. Do të ishte bukur të luaja për Hellas Verona, por është shumë shpejt për të folur për këtë gjë.
Midis Italisë dhe një aventure jashtë, kë preferon?
Nëse do kem oferta të njëjta do zgjidhja natyrisht Italinë. Për të provuar një aventurë jashtë mendoj se kam ende kohë.
është e vërtetë që në janar të kërkonte Katania?
Po, Mihajloiç më telefononte thuajse çdo ditë që të më bindte që të shkoja te Katania. Por drejtuesit e Kievos nuk donin që unë të lëvizja.
Pas karrierës së futbollist, çfarë do të doje të bëje?
Nuk do të bëhesha trajner. Më pëlqen më shumë të punoj si vëzhgues talentesh, ndoshta për Federatën Shqiptare të Futbollit.
Po muaji i mjaltit?
Pas dasmës do të shkoj në Nju Jork, Majami dhe Meksikë. Pastaj do të kthehem në Itali për të marrë lajmet e mira nga menaxheri im.