E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk jam mërzitur për mosaktivizimin

Ahmed Januzi

Ishte një prej emrave të rinj që trajneri Josip Kuzhe kishte grumbulluar në Kombëtare për dy sfidat miqësore me Malin e Zi dhe Andorrën. Ahmed Januzi kishte shansin që të debutonte me Kombëtaren “A” në sfidën e luajtur të mërkurën në Tiranë. Megjithatë, ndryshe nga Xhihani, Veliaj, Bicaj dhe Llani, të cilët regjistruan ndeshjen e parë me kuqezinjtë, sulmuesi 21-vjeçar nga Kosova nuk arriti ta përjetonte një gëzim të tillë. Pavarësisht kësaj, ai nuk shprehet i mërzitur. Përkundrazi, ai shprehet i lumtur për grumbullimin në skuadër. “Përpara ndeshjes me Malin e Zi, trajneri na tha se titullarë do të luanin lojtarët kryesorë, tha Januzi për kosovaren ‘Express’. Ndërsa para ndeshjes me Andorrën kam biseduar me Kuzhen dhe ai më tha të mos mërzitesha nëse nuk do të aktivizohesha, pasi në lojë duhej të futeshin disa lojtarë që kanë pritur para meje të testoheshin. Vendimet e trajnerit duhet të respektohen. Personalisht nuk jam i mërzitur që nuk luajta. Përkundrazi, jam i lumtur që isha i grumbulluar dhe kalova shumë kohë me ekipin”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›