Spanja, futbolli pa krizë, 600 mijë euro për titullin
Ka shkaktuar polemika në Spanjë lajmi për një premio prej 600 mijë eurosh që çdo lojtar i kombëtares spanjolle do të fusë në xhep në rast të fitores së Botërorit Afrikë e Jugut 2010.
Koha e krizës – Qeveria sapo ka aprovuar një masë të ashpër kursimesh prej 65 miliardë eurosh. Ndërsa premio është përkufizuar nga disa politikanë “një gjë e turpshme”, ndërsa grupe të ndryshme parlamentare i kanë bërë apel qeverisë për të ndërhyrë te Federata e Futbollit Spanjoll (RFEF), “e cila merr subvencione shtetërore dhe ofron këto sasi parash të ekzagjeruara”. Në fakt, Spanja, sipas të përditshmes “El Periodico”, është vendi që paguan më shumë lojtarët e saj mes 32 skuadrave, që do të marrin pjesë në Botërorin 2010, e ndjekur afër vetëm nga Argjentina (520 mijë euro për futbollist), Anglia (450 mijë euro) nga Franca (390 mijë euro), ndërsa Italia nuk do të mundet të paguajë as gjysmën e këtyre shifrave (240 mijë euro). Lojtarët kanë rënë dakord për të marrë një premio vetëm nëse do të kalojnë në 16-she: do të fitojnë 60 mijë euro kalimin në çerekfinale, 90 mijë për gjysmëfinalen dhe e 120 mijë për finale. Por Federata Spanjolle ka refuzuar gjithsesi kritikat, duke siguruar se, subvencionet publike që merr, janë baras me vetëm 6% të buxhetit të saj, dhe se premiot paguhen me paratë e sponsorëve dhe se fitorja e kombëtares do të ishte në këtë sens një biznes i madh për spanjollët.
Skuadra – Ndërsa në Spanjë vazhdojnë polemikat për premiot, në Afrikën e Jugut vazhdojnë përgatitjet e fundit kombëtares së saj. Mesfushori çesk Fabregas ishte i vendosur të luajë për herë të parë pas dy muajsh në miqësoren e djeshme ndaj Koresë së Jugut, ndërsa Fernando Torres nuk u rrezikua. Kampionët e Europës u ndeshën mbrëmë me Korenë e Jugut në Insbruk në një test para Botërorit, ku do të jetë pjesë e grupit H. Kapiteni i Arsenalit Fabregas, subjekt i një transferimi të përfolur te Barcelona, është i vendosur në rikthimin e tij pas një dëmtimi në këmbën e tij të djathtë dhe trajneri i Spanjës, Visente del Boske, nuk mendon se do të ketë probleme. “çesk ndihet mirë, ai është stërvitur shumë mirë çdo ditë dhe në ndeshjen e mbrëmshme ishte në një nga ata që luajtën në fushë”, tha Del Boske. Sulmuesi i Liverpulit, Torres, është gjithashtu pranë rikthimit pas operacionit në gju, por bomberi mungoi në një prej dy seancave stërvitore të së martës si një masë paraprake. Del Boske nënvizoi: “Ai është në formë. Edhe pse ai e humbi seancën e të martës, kjo nuk ndodhi, sepse ai kishte një problem, por ishte një masë paraprake nga ana jonë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm me atë. Nuk kemi dyshime që ai do të jetë në një formë perfekte më 16 qershor (kundër rivalit në grupin H, Zvicrës). Nuk duam të rrezikojmë. Do ta aktivizojmë atë, kur stafi mjekësor dhe lojtari të jenë të bindur”. Kampionët e Europës bënë një paraqitje jo të mirë në ndeshjen e fituar 3-2 ndaj Arabisë Saudite fundjavën e kaluar, por Del Boske tha se skuadra e tij ka bërë shumë punë në palestër. “Ju e keni parë që ne kemi zhvilluar disa seanca stërvitore. Por jemi përqendruar më shumë te mënyra e lojës ndaj Koresë Së Jugut. E kemi menaxhuar mirë kohën dhe jemi të kënaqur me mënyrën sesi po shkojnë gjërat”. Testi i radhës për Spanjën do të jetë miqësorja me Poloninë të martën e ardhshme.
#