Nuk jam yll

Një gol i shkëlqyeshëm ndaj Danimarkës dhe një ndeshje pozitive ndaj Islandës. Xherdan Shaqiri e ka arsyetuar mjaft mirë pozitën e tij në Evropianin U21, i cili po mbahet në Danimarkë. Futbollisti nga Gjilani ndien përgjegjësi, por thotë se ajo që e sjell suksesin është skuadra.
“Nuk jam yll. Dëshiroj të jem lider, por yll është ekipi. Te ne funksionon mjaft mirë grupi. Kemi shfaqur lojë maestrale në dy ndeshjet e para. Tash objektiv e kemi që ta mposhtim Bjellorusinë të shtunën, për ta mbyllur në pozitën e parë fazën e grupeve”, deklaroi futbollisti kosovar për ueb faqen 24heures.ch.
Ylli i ri i Zvicrës kërkon nga shokët e skuadrës që mos ta nënvlerësojnë kundërshtarin në fundjavë. “Do të ishte gabim nëse i nënvlerësojmë bjellorusët. Bjellorusia ka nivel të lartë, edhe pse Zvicra është më e fortë. Mendoj mentalisht jemi mjaft të fortë”, vazhdoi ai.
Në dy ndeshjet e para të këtij evenimenti, 19 vjeçari u ka treguar vëzhguesve se nuk është si të tjerët. “Më pëlqen topi. Kam nevojë ta prek atë disa herë në një lojë. Jam një djalë i topit. Mendoj pikërisht ashtu, jam i lindur për të luajtur futboll. Bëj një lojë të veçantë, mundohem të bëj gjëra që të tjerët nuk mund t’i bëjnë kurrë”, shtoi ai.
Forma e mirë e shfaqur kohëve të fundit ka bërë që ndaj Shaqirit të bëhet presion, pasi që njerëzit presin shumë ndaj tij. Ai është në qendër të vëmendjes nga të gjithë.
“Është e vërtetë, presioni ndaj meje mund të jetë enorm. Por, nuk ka asgjë të re, jam mësuar tashmë. Fakti se shumë njerëz janë duke e ndjekur evenimentin që po mbahet në Danimarkë, nuk ndikon aspak tek unë. Jam i lumtur që njerëzit e kanë mundësinë ta shohin skuadrën tonë. Sporti zviceran po përparon. Po vjen një gjeneratë e cila është e aftë të bëjë ngritje të kualitetit. Mund të shkojmë shumë larg”, përfundoi Shaqiri.
Edhe Milan e Juventus, pas Shaqirit
Skuadrat e interesuara për Xherdan Shaqirin çdo ditë janë në rritje. E përditshmja italiane ‘La Gazzetta dello Sport’ shkruan se për 19 vjeçarin interesim së fundmi kanë shfaqur edhe dy skuadrat më të mëdha italiane, Juventus e Milan. Më parë, për futbollistin kosovar ishin të interesuara edhe Manchester United e Liverpool. Ndërkohë, në Gjermani ai kërkohet nga Hamburg, Borussia Dortmund e Bayern Munchen.