E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk kanë paguar ujë qe 23 vjet

Ka 23 vjet që Shoqata e Pensionistëve për objektin mu në qendër të Prishtinës, nuk e ka dhënë as edhe një cent të vetëm për ujin që e ka harxhuar. Borxhi i grumbulluar tanimë ka arritur në 450 mijë euro të cilat nuk kanë me çka t’i paguajnë.

Çmimi mbase nuk do të arrinte shifrën astronomike sikur në të njëjtin ujëmatës të mos ishin lidhur edhe disa lokale që i kanë lëshuar me qira, pastaj restoranti i pensionistëve etj, në mënyrë që, sipas Ujësjellësit, shpenzimi mujor ka arritur deri në 800 euro, shkruan gazeta Zëri.

Ujësjellësi tek tash ka vendosur që t’i ndajë objektet me ujëmatës të tyre personal dhe ka instaluar tre ujëmatës kështu që shpenzimet nuk do të shkojë më në llogari të pensionistëve.

Pasi Pensionistët nuk kishin as gjasë të paguajnë borxhin e grumbulluar, ata si kompensim i kanë ofruar Ujësjellësit një pjesë të hapësirës së vet, që do të shërbente si zyrë për inkasimin e ujit.

Shaip Vitia, kryetar i Organizatës së Pensionistëve, thotë se pasi nuk kanë mundësi të paguajnë dhe nuk kanë ndonjë financim, përveç anëtarësisë përmes së cilës grumbullohen rreth pesë mijë euro në muaj dhe disa të hyra nga qiratë e lokaleve që janë lëshuar me qira, ato nuk dalin as për nevojat tjera të pensionistëve. Andaj, thotë ai nuk kanë pasur mundësi të paguajnë dhe borxhi ka shkuar aq lart sa nuk mund të paguhet më.

Vitia thotë se kanë arritur një marrëveshje me Ujësjellësin sipas të cilës një hapësirë në të djathtë të hyrjes, nën shkallë, do t’i jepet në shfrytëzim Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” për 10 vjet. Kjo sipërfaqe, sipas tij, nuk paraqet ndonjë pengesë për organizatën sepse edhe deri tash ka qenë e pashfrytëzueshme, andaj edhe e kanë mirëpritur këtë kërkesë të Ujësjellësit. Më mirë 10 vjet kompensim i një hapësire se sa të mbesin pa ujë.

Vitia megjithatë thotë se pensionistët vetëm ujin nuk e kanë paguar sepse shërbimet tjera si rrymën, ngrohjen dhe bërllokun i paguajnë me rregull.

Selatin Retkoceri nga Ujësjellësi marrëveshjen me pensionistët e sheh të arsyeshme pasi mundësi pagese nuk ka pasur e t’i lënë pa ujë pensionistët nuk kanë dashur.

” Kemi biseduar disa herë por ata nuk kanë qenë në gjendje të paguajnë ujin, përveç 1.000 euro që i kanë paguar një herë. Pensionistët kanë shprehur gatishmëri që të na e japin këtë sipërfaqe për 10 vjet. Objekti ka 12 metra katrorë, me këtë as atyre po as neve nuk na prishë punë”, thotë Retkoceri. Sipas tij, kjo marrëveshje u ka konvenuar edhe pensionistëve por edhe për Ujësjellësin ka qenë një ofertë e leverdishme, sepse për 10 vitet e ardhshme nuk do të paguajnë qira për këtë zyrë të inkasimit. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›