E Shtunë, 31 Tetor 2026

Isufi: Thaçi nuk e lëshoi postin e kryeministrit

(E plotësuar)

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, për dështimin e bisedimeve për koalicionin PDK-AAK fajësoi kryeministrin Hashim Thaçi, i cili nuk shprehu gatishmërinë ta lëshoi postin e shefit të qeverisë.

“Kryeministri Hashim Thaçi, normalisht që nuk ka qenë i gatshëm që postin e Kryeministrit t’ia dorëzojë Z.Haradinaj. Megjithatë AAK, do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrën e vet për procese të ndryshme në vendin tonë, për të mirën e këtij populli”, ka thënë Isufi për Indeksonline.

Ai tha se në takimin e sotëm partia e tij ka paraqitur vullnetin për një koalicion të mundshëm me qëllim që vendi ynë ta kalojë gjendjen e krijuar e që sipas tij është zhytur në një hendikep të vërtetë.

“Në këtë takim është biseduar për proceset politike në vendin tonë, për proceset të cilat po i kalon vendi ynë. AAK ka paraqitur vullnetin e saj duke e parë gjendjen në të cilën vendi ynë është zhytur, në një hendikep të vërtetë. Megjithatë, gatishmëria jonë nuk ka hasur në mirëkuptim”, ka vlerësuar Isufi./Indeksonline/

.......................................................

Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj nuk arritën marrëveshje për koalicion në mes të PDK-së e AAK-së.
Dy liderët u takuan sot në Prishtinë për të shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

“Pas shqyrtimit të gjendjes aktuale politike në Kosovë, nuk u arrit marrëveshja e cila do të mundësonte bashkëqeverisjen e PDK-së dhe AAK-së, në rrethanat e tanishme”, thuhet në një kumunikatë të AAK-së.

Kjo parti sërish përsëriti që do të ofrojë kontributin e saj dialogun në mes Prishtinë e Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, në procesin e reformës së sistemit zgjedhor dhe në rrugën e integrimit i Kosovës në Bashkimin Evropian.

AAK-ja pohon se do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat politikë për përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe për krijimin e rrethanave më të volitshme për Kosovën, për ta siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë politike dhe ekonomike të Republikës së Kosovës./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›