Hoxhiq: Këtu ke ndjenjën, sikur konflikti s’ka fund kurrë

Adriana Hoxhiq, shefe e Zyrës së Qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, thotë se institucioni që drejton është “në rrugën e drejtë për të fituar besimin e qytetarëve në veri”.
Hoxhiq tha për “Dojçe velen” se në zyrën e saj “janë të punësuar banorë të qytetit, të cilët e ndiejnë veten të lidhur me të ardhmen e qytetit”, dhe se sipas saj, “ata janë të motivuar fort dhe duan, që të kemi një sistem më të mirë arsimor, sepse këtu mësojnë fëmijët e tyre”.
Hoxhiq tha se rinia në veri “po përjeton një krizë” dhe se në vend të aktiviteteve, “ka barrikada, protesta e demonstrata”.
“Ne kemi sot të regjistruar 2500 atletë, por s’kemi infrastrukturë sporti. A është kjo normale? Ndaj ne duam të vemë t’i trajtojmë këto tema. Do t’i kërkojmë qeverisë së Kosovës dhe donatorëve, që të investojnë në këto fusha”, theksoi Hoxhiq.
Sa i përket zbatimit të IBM-it dhe cili është perceptimi i qytetarëve, Hoxhiq thotë se ka dy mendime të ndryshme. Ndërsa biznesmenëve u intereson që të vazhdojë gjendja e mosfunksionimit të ligjit, nga e cila përfitojnë, nga ana tjetër qytetarët e thjeshtë druajnë se kur të gjithë duhet të paguajnë taksat, në treg do të shtrenjtohet gjithçka.
“Megjithatë qytetarët e kuptojnë, se përmes taksave do të mund të ripërtërihet edhe buxheti i qytetit, që tek e fundit do jetë në dobi të tyre”, tha Hoxhiq.
Në pesëvjetorin e pavarësisësë Kosovës, e pyetur se cili është perceptimi në veri të Mitrovicës për këtë përvjetor, Hoxhiq tha se ky jubile nuk ndihet fare në veri të Mitrovicës dhe se popullsia serbe nuk i pranon institucionet e Kosovës.
Por, duke shprehur mendimin e saj, Hoxhiq thekson se jeton “në një Kosovë të pavarur dhe ky është një fakt”.
“Ne duhet ta kuptojmë këtë realitet dhe ka shumë mundësi që të përmirësohet jeta e qytetarëve, duke u integruar në institucionet e Kosovës dhe që popullsia të jetë e përfaqësuar mbi baza ligjore në to. Njerëzit në Mitrovicë jetojnë në një situatë të vështirë. Këtu ke ndjenjën, sikur konflikti s’ka fund kurrë. Ka vazhdimisht tensione dhe jeta nën këtë presion është vërtetë e lodhshme. Popullsia nuk ka qenë e kënaqur me shërbimet civile, që u ofroheshin atyre nga disa institucione në veri. Ne tani duam të dëshmojmë, se shërbimi civil mund të funksionojë më mirë. Ne duam të tregojmë, se është e mundur, që qytetarët të përfshihen në proceset e vendimmarrjes për gjithçka bëhet në qytetin e tyre”, theksoi Hoxhiq./Indeksonline/