E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE dënon “vjedhjen” e identiteteve evropiane për vrasjen në Dubai



Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian në takimin e djeshëm kanë dënuar “vjedhjen” e dokumenteve të qytetarëve të Unionit për vrasjen e militantit të Hamasit, Mahmud al-Mabuh në Dubai. Bashkimi Evropian “dënon ashpër përdorimin e pasaportave të falsifikuara evropiane dhe kartave të kreditit, përmes vjedhjes së identitetit të qytetarëve evropianë, për anëtarët e skuadrës së përfshirë në vrasje”, thuhet në deklaratën e Brukselit zyrtar. Deklarata nuk e përmend drejtpërdrejt Izraelin. Deri tani dyshohet se agjencia izraelite e zbulimit, Mosad, fshihet pas vrasjes së Al-Mabuhit. Mosadi është akuzuar për falsifikim të pasaportave britanike, irlandeze, franceze dhe gjermane, në mënyrë që vrasësit të hynin në Dubai me identitete të rreme.
Deklaratën e dha Miguel Moratinos, ministër i Jashtëm i Spanjës, e cila e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, me të arritur në Bruksel, për takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së. Ndërkohë Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, pas takimit me zotin Moratinos dhe me disa ministra të jashtëm të tjerë evropianë,tha se nuk ka asnjë provë që shërbimet sekrete izraelite të jenë të përfshira në këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›