E Diel, 1 Nëntor 2026

“Grusht shteti” në Turqi, arrestohen ushtarakë të lartë



Rreth 40 persona, përfshirë figura të larta të ushtrisë turke, janë arrestuar dje, mbi akuzat e një grushti shteti që i ka rrënjët që në vitin 2003. Arrestimet janë kryer në Stamboll, Ankara dhe Izmir. Kryeministri turk, Rexhep Tayio Erdogan, gjatë vizitës së tij në Spanjë ka deklaruar se autoritetet turke kanë arrestuar 40 persona pas zbulimit të një përpjekjeje për një grusht shteti për të rrëzuar qeverinë. Sipas të përditshmeve turke, përpjekja për grushtin e shtetit mund të lidhet me rrjetin e ndërtuar nga “Ergenekon”, një organizatë sekrete që ka si objektiv destabilizimin e vendit dhe të qeverisë në Ankara. Hetimet pasuan disa raportime të publikuara në gazetën liberale “Taraf”. Sipas kësaj gazete, janë zbuluar disa dokumente që kanë të bëjnë me përpilimin e një komploti të detajuar, që i ka rrënjët në vitin 2003, me vendosjen e dy bombave në xhamitë e Stambollit dhe me provokimin e Greqisë për të qëlluar dhe hedhur një avion turk në detin Egje. E gjitha ishte një përpjekje për të minuar qeverinë turke dhe për të justifikuar grushtin e shtetit. Sipas ushtrisë, planet e tyre ishin pjesë e stërvitjeve në një seminar ushtarak dhe jo një komplotit apo grusht shtetit. Plani ka marrë emrin “Balyoz”, hanxhar. Aktualisht ka të paktën 300 persona nën proces, sepse janë akuzuar të bëjnë pjesë në këtë organizatë. Ndërsa me arrestimet e djeshme të ish-komandantit të Forcave Ajrore, Ibrahim Firtina, ish-shefit të Flotës turke, Ozden Ornek, dhe gjeneralit Engin Alan janë edhe 10 zyrtarë të tjerë. Mes tyre edhe dy ushtarakë në pension, gjenerali, Cetin Dogan dhe gjenerali, Suha Tanyrli, të cilëve u janë kontrolluar edhe banesat. Mes ushtarakëve është edhe Ozden Ornek, autor i disa ditarëve të diskutueshëm të zbuluar në vitin 2004, që flisnin për një grusht shteti në përgatitje nga katër figura të larta të ushtrisë. Sytë tani janë përqendruar te reagimi i Forcave të Armatosura. Shefi i madh i ushtrisë, gjenerali Ilker Basbug, ka anuluar në minutën e fundit udhëtimin e tij për në Egjipt. Kreu i ushtrisë ka hedhur poshtë çdo përfshirje në këtë çështje, duke këmbëngulur se grushtet e shtetit në Turqi i përkasin së kaluarës. Ushtria ka rrëzuar me forcë apo ka detyruar të dorëhiqen katër qeveri në Turqi që nga viti 1960. Hera e fundit ishte në vitin 1997.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›