E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk ka negociata për kufijtë detarë me Greqinë”

13-09-2012 / Gazeta 55

Ministri i Jashtëm në komisionin për Çështjet e Jashtme, për procesin e delimitimit të shelfit kontinental

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti Shqipëria  ka deklaruar nuk ka nisur asnjë negociatë me Greqinë për sa i takon kufirit detar mes dy vendeve.
Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin parlamentar të Çështjeve të Jashtme, shefi i diplomacisë shqiptare vuri në dukje anëtarëve të opozitës në komision se, kjo çështje veçse po trajtohen nga ana teknike nga strukturat e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Kemi vënë në dijeni Greqinë për këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Pala shqiptare s’do bëjë hapa të mëtejshme, pasi udhërrëfyes për ne mbetet ky vendim”, theksoi ai.
 Në seancën dëgjimore në komisionin e jashtëm, i thirrur nga deputetet e opozitës pikërisht mbi ecurinë e tratativave me Greqinë, Panariti përsëriti se nuk ka grup negociator për marrëveshjen detare , por vetëm një grup teknik brenda ministrisë që prej 2011.
“Nuk ka negociata, nuk ka grupe negociatorësh, ka vetëm trajtesë teknike brenda ministrisë. Negociatat do të nisin atëherë kur ne të jemi përgatitur për këtë, kur ne ta gjykojmë që është oportune në interes kombëtar që këto negociata do të nisin dhe jo bazuar në vullnetin ose jo për hapje nga pala greke”, theksoi Panariti.
Ndërsa për deputetët opozitarë, marrëveshja e re për kufirin detar me Greqinë, duhet të bëhet pas zgjedhjeve të 2013-s, nga kabineti i ri qeveritar.
“Rinegocimi t’i lihet një  maxhorance tjetër që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, theksoi Arta Dade, deputete e PS.
Diskutimet gjatë mbledhjes së komisionit mbi çështjen aq të përfolur të paktit detar, kanë shtyrë kryetarin dhe deputetin e Partisë Bashkimi për të Drejtat, Vangjel Dule, të apelojë për një diskutim të qetë, pasi siç tha ai, parti apo politikanë të ndryshëm po e përdorin për politikë këtë çështje.
Gjithashtu numri një i diplomacisë shqiptare deklaroi se asnjë nga negociatorët e marrëveshjes së 2008-s, nuk mban dhe nuk do të mbajë përgjegjësi ligjore, siç kërkoi opozita. Detaje të mëtejshme për marrëveshjen e re ai deklaroi se do ti japë pa praninë e medias në një moment të dytë të mbledhjes. Por kjo pjesë konfidenciale nuk u zhvillua duke ngjallur revoltën e opozitës.
I pyetur nga deputetët e majtë, ministri i Jashtëm mohoi që rrëzimi i paktit të kufirit nga Kushtetuesja ka cenuar marrëdhëniet me Greqinë, por sidoqoftë kthimi në kufi i gjyqtarëve dhe gazetarëve do të jetë një temë e nxehtë e diskutimeve që do të zhvilloi muajin e ardhshëm në Athinë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›