E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk ka pazar që ndryshon vullnetin e shqiptarëve”

10/07/2009  Balla për bashkëpunimin Meta–Berisha

“I kujtoj sot Sali Berishës dhe Ilir Metës se ne do të mbrojmë me çdo kusht vullnetin e shqiptarëve, sikurse do të mbrojmë çdo qytetar shqiptar nga hakmarrja primitive e çdo pazari të pistë”, - ky ishte mesazhi i lëshuar dje nga selia rozë. Kandidati për deputet i PS-së Tauland Balla, duke u ndalur sërish te mandati i nëntë i kësaj partie në Qarkun Fier, denoncoi “keqpërdorimin e shumicës politike në KQZ, drejtimin dhe sjelljen arbitrare të kryetarit de jure të KQZ-së, të cilët janë duke zbatuar me verbëri militante urdhrat e çiftit Berisha–Meta për shkatërrimin e procesit zgjedhor”. Balla uroi që “maskarada e KQZ-së me mandatin e nëntë të Partisë Socialiste në Fier të mos mbyllet siç ka filluar”, në të kundërt kjo parti “nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk do të njohë parlamentin e dalë nga kjo maskaradë”. “Asnjë pazar nuk mund të ndryshojë vullnetin e shprehur të të gjithë shqiptarëve. Pazari i qeverisjes Berisha–Meta, që ka për synim vjedhjen e mandatit të nëntë të Partisë Socialiste në Fier, ka filluar këto ditë hakmarrjen ndaj personave të veçantë, të cilët mbështetën Partinë Socialiste më 28 qershor. Ne do të jemi të detyruar të zgjedhim rrugë alternative demokratike për rivendosjen e ligjshmërisë së zgjedhjeve”, - nënvizoi Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›