E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI replika në distancë

10/07/2009  Rezultati zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit

“Klosi tradhtoi besimin që i dha LSI-ja për interesa të Bashkisë”

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka vonuar t’u përgjigjet akuzave të ardhura në adresë të saj nga selia rozë, e cila pretendon se bashkimi Meta–Berisha synon ndër të tjera shkatërrimin e procesit zgjedhor. Sipas anëtarit të kryesisë së LSI-së Dritan Ylli, kjo parti po vazhdon procesin e dokumentimit dhe të evidentimit të parregullsive të procesit të administrimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Lëvizja Socialiste për Integrim do të vijojë edhe me ankimimet përkatëse për të gjithë zonat ku ajo ka vërejtur parregullsi gjatë procesit të numërimit. LSI-ja hedh poshtë me neveri të gjitha insinuatat e Partisë Socialiste, që e lidh Lëvizjen Socialiste për Integrim me ndikimin në vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, apo të çdo lloj komisioni tjetër vendimor për zgjedhjet”, - vuri në dukje Ylli gjatë një konference për shtyp. Në gjykimin e kësaj partie, selisë rozë duhet t’i vijë turp kur shprehet në këtë mënyrë, sepse edhe shqiptari më i fundit e di fare mirë se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka asnjë përfaqësues në asnjë komision, ku merren vendimet për zgjedhjet dhe opinioni publik gjithashtu e di mirë se shkaku kryesor që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk përfaqësohet në këto komisione është pikërisht kundërshtimi i egër i Partisë Socialiste. “Ne bëjmë thirrje që rezultati i zgjedhjeve duhet të administrohet me qetësi, si dhe të analizohet me përgjegjshmëri qoftë mesazhi politik i këtyre zgjedhjeve, qoftë edhe standardet problematike të tyre”, - vlerësoi Ylli. Njëkohësisht, ndalur në kundërshtimin që anëtari i kryesisë së kësaj partie Fatos Klosi i bëri vendimit për bashkëqeverisje me demokratët, Ylli bëri me dije se “i kam ndjekur prononcimet ambulante të zotit Klosi nga njëri televizion tek tjetri dhe me keqardhje vërejta se interesi i ngushtë personal dhe nepotik i tij me Bashkinë e Tiranës e përbuzi interesin atdhetar dhe rolin e rëndësishëm të LSI-së në këtë proces, që hedh baza të sigurta për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.” Gjithashtu, po në këtë linjë, ai shtoi: “Kam ndier gjithashtu zhgënjim, sikurse dhe 650 anëtarët e nderuar të Konventës së LSI-së si dhe qindra mijë mbështetësit e saj në të gjithë Shqipërinë, për fyerjen që zoti Klosi bëri me një fjalor të papërshtatshëm për një profesor, duke shpërdoruar besimin e madh, shpesh të pamerituar, që LSI-ja i ka dhënë atij, që për hir të së vërtetës nuk bëri asnjë ditë fushatë për LSI-në. Ky besim i tradhtuar është qartazi edhe shërbimi i fundit bashkiak i zotit Klosi.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›