E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka popull më të vështirë për t

Nuk ka popull më të vështirë për t’u kuptuar sesa Ata. Megjithëse kanë një shtet, ata aktualisht janë të shpërndarë. Aftësia e tyre për t’u përshtatur është e njohur. Ata mund t’i gjesh mes shumë të tjerëve dhe gjuhën e kulturën e tyre i ruajnë më fort sesa gjërat më të shtrenjta. Shumë thonë se ata ngjajnë, por kush i njeh mirë, mendon se ata janë shumëllojësh. Mes tyre mund të gjenden njerëzit më të mirë e më të këqij. Ata janë ndryshe nga të tjerët, por veçanërisht kundërshtarë të njëri-tjetri. Ndërsa shumë etni janë shuar, ata admirohen për mbijetesën e tyre. Është ndoshta i vetmi, ndër kombet e vegjël në numër, që sot mund të gjendet kudo në botë. Kjo si pasojë edhe e ndonjë eksodi, që vetëm për nga numri dhe vuajtjet mund të krahasohet me atë biblik. Edhe ata kanë ikur për të shpëtuar nga shtypja a skamja, por duke lënë pas tokën e premtuar. Mes popujve të lashtë, ata janë ndoshta të vetmit që vazhdojnë të enden. Ka pasur kohëra kur ata janë zhdukur, por kanë dalë përsëri, me emër tjetër, dhe sot janë më të shumtë në numër sesa kurrë ndonjëherë. Më pak se 100 vjet më parë ata nuk kishin as shtet, as gjuhë të njësuar, dhe sot ende nuk janë të gjithë bashkë. Me afro gjysmën e popullsisë në 5 kontinente, shumë prej tyre sot flasin në dhjetëra gjuhë, por jo në gjuhën e vet. Për disa prej tyre, feja e të parëve është si një thes i shkundur, ndërsa numri i atyre pa të vazhdon të jetë i madh. Ndonjë thotë se më mirë do të kishte qenë sikur të kishin harruar se kush ishin. Po ata nuk mund të harrojnë, as shumica e tyre nuk do. Dhe kjo shtron çështjen: Çfarë i shtyn këta njerëz të mbeten ata që janë? Cila është natyra e asaj lidhjeje me të parët, që secili ndjen kur thotë “Unë jam…?”. Apo mos është kjo krenari, që ata e përdorin për të fshehur zhgënjimin e mposhtur humbjen? Dihet se kjo ndjenjë i ka shoqëruar ata që nga fillimi i historisë dhe është përtërirë më shumë se një herë, veçanërisht pas periudhave të vështira, ose kur ata janë rrudhur e zmbrapsur në hapësira më të ngushta sesa më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›