E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka prishje të koalicionit

Në komunikatën e lëshuar nga PDK-ja, ndër të tjera thuhet se, kjo parti “mbetet fuqimisht e përkushtuar për stabilitetin funksional të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës dhe procesin e shtetndërtimit”.

“Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të lira, fer dhe demokratike dhe me gjithëpërfshirje, nuk do te mund të ndikojnë në funksionimin e mirë të institucioneve qendrore: Parlamentit, Presidentit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Partneriteti i koalicionit në nivel qendror – sipas komunikatës së PDK-së – “mbetet i konsoliduar dhe i pacenueshëm e funksional, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe marrëveshjen e koalicionit deri në zgjedhjet nacionale të vitit 2011”.

“PDK do të vazhdojë përkushtimin në filozofinë e shtetndërtimit dhe unitetit në prag të procesit të Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pritjes së njohjeve të reja dhe proceseve integruese euro-atlantike”, përfundon komunikata e PDK-së.

 
LDK nuk tërhiqet nga partnerët lokalë të qeverisjes

 
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, konfirmoi të premten në një komunikatë për media se në balotazh do të krijojë partnerë të ndryshëm lokalë, sipas specifikave të secilës komunë, ndërsa në nivelin qendror do ta vazhdojë partneritetin me Partinë Demokratike të Kosovës.

LDK-ja është parti e përgjegjshme e cila objektiv parësor e ka stabilitetin e vendit. Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit kanë dhënë një provë të fuqishme të pjekurisë dhe demokracisë në Kosovë në të cilën LDK-ja ka dhënë kontribut madhor.

LDK-ja në balotazh do të krijojë partnerë të ndryshëm lokalë sipas specifikave të secilës komunë.

LDK-ja do të vazhdojë të angazhohet me përgjegjësi për funksionimin dhe zbatimin e obligimeve shtetërore që dalin nga partneriteti në nivel qendror, e që është e rëndësisë parësore për funksionimin e institucioneve qendrore shtetërore të Republikës së Kosovës, presidencës, parlamentit dhe qeverisë, në pajtim me kushtetutën dhe ligjit, thuhet në deklaratën e Kryesisë se Lidhjes Demokratike te Kosovës.

Ndërkaq partitë politike opozitare këto zhvillime i kanë quajtur lojë e dobët dhe pa asnjë arsye.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›