Berat, vendorët kërkojnë varësi të disa drejtorive nga institucionet rajonale
Në kuadër të projektit të decentralizimit dhe zhvillimit rajonal dje në bibliotekën Vexhi Buharaja të qytetit të Beratit është zhvilluar tryezë rajonale Drejt Rajonalizimit: Zhvillimi rajonal dhe sfidat për Shqipërinë. Ky takim mbështetur nga fondacioni Hand Seidel dhe shoqatat e këshillave të qarqeve të Shqipërisë ka mbledhur në tryezë kryetarët e bashkive, komunave të qarkut Berat, krerët e këshillit të qarkut si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.
Qëllimi i këtij takimi sipas pjesëmarrësve ka qenë për të identifikuar rolin e qarqeve që nuk kanë funksionuar dhe çështjen e qarkut, që mbetet i diskutueshëm për hapësirat e cunguara që i është dhënë si institucion rajonal. Në lidhje me nivelin e qeverisjeve lokale pjesëmarrësit kanë debatuar se drejtoritë dhe ndërmarrjet duhet të menaxhohen nga këshilli i qarkut, pasi ato janë ngritur për krijim të balancave politike gjatë ndërrimit të sistemeve ndaj kjo duhet ti largojë këto institucione të ndërvaren nga pushteti vendor. Në lidhje me këtë projekt të rajonalizimit, kryetari i shoqatës së këshillave të qarqeve të Shqipërisë, Hysen Doni, gjatë takimit ka cituar se fushat kryesore ku mbështetet qyteti i Beratit si resurset kulturore, fusha arsimore shkencore dhe fusha të tjera duhet të mos jenë pronë e qeverisjes vendore por duhet ti kalojnë këshillit të qarkut për realizim sa më eficent të projekteve në zhvillim. Ndërsa kryetari i këshillit të qarkut Berat Pelivan Shatri ngriti si problem përqendrimin e fondeve nga qeveria që sipas tij nëse këto të ardhura dhe grante do të administrohen nga këshilli i qarku do të ketë një nivel të lartë cilësor në arsim, bujqësi, kulturë, infrastrukturë etj. Po në takimin e djeshëm përfaqësues të institucioneve shtetërore kanë kërkuar që në lidhje më këtë ndryshim rajonal të ketë dhe zgjidhje të kreut të këshillit të qarkut me votime të drejtpërdrejta nga populli.