E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka shtyrje

Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur që fillimi i stinorit pranveror në Superligë të nisë të shtunën, edhe pse gjatë kësaj jave në vend pritet të mbretërojë mot i lig. Trajnerët e disa klubeve mendojnë se fillimi i stinorit pranveror është dashur të shtyhet për një javë me qëllim që mos të dëmtohen fushat. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 02 mars 2011 në ora 16:18

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të martën ka vendosur që fillimi i stinorit pranveror në Superligë të mos shtyhet.

Pjesa e dytë e kampionatit pritet të nisë më 5 mars, edhe pse gjatë kësaj jave në vend parashihet të mbretërojë mot i lig, i cili do ta përkeqësojë gjendjen edhe ashtu të rëndë të fushave nëpër stadiumet kosovare.

Trajnerët kosovarë thonë se askush nuk ka dëshirë që fillimi i stinorit pranveror të shtyhet, ndonëse edhe ashtu është pauzuar shumë gjatë prej përfundimit të stinorit vjeshtor.

Por ata thonë se në Kosovë shtyrja është e pashmangshme kur dihet se infrastruktura nëpër stadiume është katastrofale.

“Duke e pasur parasysh se gjatë kësaj jave pritet të bjerë borë dhe shi, mendoj se fillimi i stinorit pranveror është dashur të shtyhet për një javë. Të gjithë kemi dëshirë ta nisim stinorin sa më herët, por duhet pajtuar me realitetin se në Kosovë nuk kemi mundësi ta bëjmë një gjë të tillë”, thotë trajneri i Trepçës ’89, Gani Sejdiu

Ai thotë se nëse dalin parashikimet meteorologjike atëherë në xhiron e parë do të dëmtohen rëndë fushat e futbollit, me ç’rast pasojat do ta përcjellin futbollin kosovar për disa javë të tjera rresht.

“Nëse nuk ka shtyrje, atëherë në xhiron e parë nuk do të ketë shikues dhe ata shikues të pakët nuk do të mund të shohin futboll cilësor. Po ashtu, do të dëmtohen edhe fushat. Më mirë është të ruhen fushat për një javë dhe më pas nëpër ato fusha të aplikojmë futboll cilësor, sesa të luajmë menjëherë, me ç’rast fushat dëmtohen dhe në vazhdim është e pamundur të aplikosh lojë të mirë nëpër to”, theksoi Sejdiu.

Edhe trajneri i Ferizajt, Agron Selmani mendon se fillimi i stinorit pranveror është dashur të shtyhet të paktën një javë.

“Fusha jonë është në gjendje jo të mirë. Megjithatë, ne jemi përgatitur ta nisim sezonin në këtë fundjavë ndaj Besës. Por duhet të kemi konsideratë për shikues. Ata nuk ua mësyjnë stadiumeve nëse moti është i lig. Po ashtu, është e pamundur për ekipet të aplikojnë lojë cilësore. Andaj, është dashur të shtyhet fillimi i stinorit, me ç’rast ishin ruajtur edhe fushat dhe më pas ta nisnim mbarë”, tha Selmani.

Kurse trajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli thotë se Komisioni i Garave mund ta ndryshojë vendimin edhe të premten, nëse deri atëherë vërtet dalin parashikimet meteorologjike.

“Duke i pasur parasysh parashikimet e motit, ka arsye që të shtyhen ndeshjet e xhiros së parë.
Por, edhe të premten mund të merret vendim për ta shtyrë xhiron e parë, nëse gjatë këtyre ditëve vërtet bie borë”, u shpreh Shosholli.

Ndërkohë, Komisioni i Garave i FFK-së e ka aprovuar kërkesën e Drenicës që ndeshjen e parë të stinorit pranveror ndaj Prishtinës ta zhvillojë më 9 mars, pasi në Skenderaj gjatë javës mbahet manifestimi “Jetojmë me lavdinë tuaj”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›