AAK dënon sulmin në Frankfurt
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dënon ashpër aktin e shëmtuar kriminal në Frankfurt të Gjermanisë, ku ishte i përfshirë një shtetas i Kosovës, dhe ku e pësuan me vdekje dy ushtarë amerikanë.
AAK konsideron këtë një akt të shëmtuar dhe të rëndë kriminal, të drejtuar kundër pjesëtarëve të ushtrisë amerikane, e cila në momentet më të rënda ishte në anën e popullit të Kosovës, në përpjekjet tona vendimtare për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Me këtë rast AAK ngushëllon popullin dhe qeverinë amerikane, në veçanti, familjeve të ushtarëve të vrarë, dhe vlerëson se çdo sulm kundër ushtrisë amerikane është drejtpërdrejt sulm kundër ushtrisë, qeverisë dhe popullit që mbron vlerat e lirisë, demokracisë dhe të paqes për popujt në mbarë botën.
“AAK përcjell bindjen e thellë se populli i Kosovës është dhe do të jetë përherë në anën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do t’i jetë përherë mirënjohës e falënderues popullit, qeverisë dhe ushtrisë amerikane për të gjithë atë që ka bërë dje dhe që po e bën sot për Kosovën dhe kombin tonë”, përfundon deklarata.