Zgjedh Orebron

E ardhmja e Kushtrim Lushtaku më në fund është qartësuar. Sulmuesi kosovar ka vendosur që karrierën ta vazhdojë te klubi suedez, Orebro, pjesë e të cilit ditë më parë u bë edhe Valdet Rama.
21-vjeçarit, i cili deri më tani ishte pjesë e skuadrës nga Bundesliga 2, Munchen 1860, ka pranuar ofertën e Orobros, para asaj të Kalmarit, dhe pritet të nënshkruajë kontratë dyvjeçare.
“Është e vërtetë se Orebro më bëri ofertë konkrete dhe më të mirë sesa Kalmari dhe vendosa ta pranoj ofertën e Orebros. Shumë shpejt do të nënshkruaj kontratë dyvjeçare”, deklaroi Lushtaku për Express, të martën.
Ish-sulmuesi i skuadrës së Drenicës tregon se oferta e Orebros ishte joshëse për të dhe se nuk ka mundur ta refuzojë.
“Jam i kënaqur me kushtet që më janë ofruar. Jam i kënaqur edhe me skuadrën për të cilën do ta jap maksimumin nga vetja. Shpresoj që nga Orebro të kaloj në klube akoma më të njohura evropiane. Eksperienca ime që do ta fitoj me Orebron do t’i shërbejë edhe përfaqësueses së Kosovës”, theksoi Lushtaku, i cili falënderoi selektorin kosovar, Albert Bunjaku, i cili ishte ndërmjetësues i këtij transferimi.
Lushtaku në Orebro do t’i gjejë edhe dy futbollistët e tjerë kosovarë, Denis Abdullahin dhe Valdet Ramën. Ky i fundit vetëm para pak ditëve u transferua në ekipin suedez nga ai gjerman, Hannover.
“Sigurisht se më vjen shumë mirë që do të luaj bashkë me Valdetin dhe Denisin. Valdetin e kam shok edhe më përpara, ndërsa tani jam njohur edhe me Denisin, i cili vërtet ishte një djalë shumë i mirë”, vazhdoi ai.
Lushtaku fillimisht ishte testuar në Kalmar, e më pas edhe në Orebro. Të dyja këto prova ai i kishte kryer me sukses dhe pati nisur bisedimet me të dyja ekipet. Por Kalmar ishte më e ngathët, andaj drejtuesit e Orebros ia dolën ta bindin kosovarin ta pranojë ofertën e tyre.