Administrata, abuzime shumëmiliardëshe

Drejtoria e Përgjithshme e Auditit të Brendshëm zbardh vjedhjet e parave të buxhetit të shtetit nga punonjësit e administratës shtetërorë për muajt e parë të këtij viti.
Shifra e abuzimeve kap vlerën e 37.5 milionë dollarëve dhe kontrollet janë kryer gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2008. Raporti i përfunduar nga Drejtoria e Përgjithshme e Auditit është miratuar edhe nga shefi i qeverisë dhe anëtarët e kabinetit të tij, i cili shumë shpejt pritet të bëhet publik edhe nga Ministria e Financave. Abuzimet e administratës të zbuluara nga audituesit janë në shifra të konsiderueshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke thyer çdo rekord. Kontrollet përfshijnë të gjitha ministritë dhe drejtoritë qendrore, prej së cilave janë zbuluar dëmet e zbuluara prej 2.925.413.000 lekësh të reja. Sipas raportit të Auditit të Brendshëm, dëme në shifra të konsiderueshme janë shkaktuar nga evazioni fiskal, që përfaqësojnë 2.643.443 mijë lekë të reja, kurse dëmet me shkelje të disiplinës financiare, duke përfshirë edhe abuzimet në zhvillimin e tenderëve, kapin vlerën e 265.296.000 mijë lekëve të reja. Veprimtaria ekonomiko-financiare e kontrolluar i përket vitit 2007 dhe 3-mujorit të parë të vitit 2008. Edhe kësaj radhe, dëmet ekonomike më të larta janë shkaktuar nga administrata tatimore dhe hipotekat, duke mos harruar edhe abuzimet tek patentat dhe Agjencia e Legalizimeve. Raporti i Drejtorisë së Përgjithshme të Auditit të Brendshëm ka konstatuar se dëmet e zbuluara në administratën tatimore kapin vlerën e 135.790.000 lekëve të reja. Abuzimet për evazion fiskal janë zbuluar në Degën e Tatimeve të qytetit të Vlorës, administratë kjo e cila mban peshën më të madhe të abuzimeve, në degën e Tropojës, Shkodrës dhe Elbasanit. Alarmante janë shifrat e abuzimeve edhe në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme. Kjo tregon edhe njëherë faktin, se punonjësit e hipotekave nuk kanë mundur të ngecin mbrapa në abuzimet e regjistrimit të pasurive të patundshme. Kujtojmë këtu faktin, se pak ditë më parë ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit, ai që në disa kontrolle të tij nxori abuzimet në zyrat e regjistrimit të pasurive në qytetet bregdetare dhe zonës turistike të Dajtit. Në listën e abuzuesve shtohen kësaj radhe punonjësit e zyrave të Regjistrimit të Pasurive në qytetin e Fierit, Mallakastrës, Gramshit, Librazhdit dhe Kurbinit. Abuzime janë konstatuar edhe në komisariatet e policisë dhe në drejtorinë e burgjeve. Abuzimet nuk përfundojnë së reshturi edhe në kompanitë shtetërore, të cilat janë drejt privatizimit. Nga ana e audituesve janë konstatuar shkelje dhe te kompania shtetërore INSING, ku periudha e kontrollit të aktivitetit ekonomiko-financiar i përket vitit 2006, 2007 dhe 3-mujorit të parë të këtij viti. Abuzimet kapin vlerën e 7.425.000 lekëve të reja, kryesisht në mosvjeljen e gjobave dhe penaliteteve.
Financat dhe energjetika, padi penale për vjedhjet
Abuzimet e kryera nga punonjësit e administratës shtetërore në fondet e buxhetit të shtetit kanë sjellë që masat e dhëna administrative nga Drejtoria e Përgjithshme e Auditit të Brendshëm pavarësisht dëmit në vlera të mëdha, të mos jenë aq të rënda. Duke iu referuar raportit, mësohet se nga audituesit janë dhënë 4 denoncime dhe 2 padi penale. Një nga paditë penale është dhënë për punonjësit e Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Po ashtu janë vendosur 94 gjoba punonjësve në të cilët janë konstatuar me shkelje, që kapin vlerën e 4.097.000 lekëve të reja. Por nuk mbaron me kaq. Nga ana e audituesve janë dhënë 913 masa për zhdëmtim financiar.
2007, administrata në 3 muaj 3.1 milionë USD dëme
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Auditit të Brendshëm në 9-mujorin e fundit të vitit të kaluar shkeljet me dëm ekonomik të konstatuara arrijnë në vlerën e 250.299.000 lekëve, apo 3.1 milionë dollarë. Nga dëmet e konstatuara, mungesat e dëmtimet përfaqësojnë 249.278.000 lekë dhe evazioni fiskal përfaqëson 1.021.000 lekë. Shuma që ka kaluar për zhdëmtim është në vlerën e 250.299.000 lekëve, kurse për shkeljet e konstatuara janë vënë 1.875.000 lekë gjoba.
2008: Administrata, dëmet 10 herë më të larta
Shifra e abuzimeve në administratën shtetërore në 3 muajit e parë të këtij viti kap vlerën e 37.5 milionë lekëve. Raporti i përfunduar nga Drejtoria e Përgjithshme e Auditit është miratuar dhe nga shefi i qeverisë dhe anëtarët e kabinetit të tij, i cili shumë shpejt pritet të bëhet publik edhe nga Ministria e Financave. Abuzimet e administratës së zbuluara nga audituesit janë në shifra të konsiderueshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke thyer çdo rekord.