E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk kam nevojë për ftesë në PD, unë jam demokrat

21/10/2004  Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Albret Brojka, tha për "Metropol", se në Shqipëri është e nevojshme një rotacion i pushtetit dhe i figurave. Për të, pas 14 vitesh politikë, figurat aktuale janë të konsumuara, ndaj dhe nevoiten ndryshimet. Brojka theksoi se dhe deklaratat e PD-së, për afrimin e intelektualëve janë boshe, pasi në rast se një parti është e hapur, nuk është e nevojshme të bëhen thirrje, sepse intelektualët afrohen vetë. Në lidhje me kërkesën për kalimin e zgjedhjeve në "një anëtar, një votë", Brojka tha se kjo është një kërkesë e ndërkombëtarëve që është shndërruar nga politikanët shqiptarë sikur është propozim i tyre. Duke paraqitur shembuj nga vende të ndryshme, ish-kryetari i Bashkisë tha se vetëm në rast se figurat janë të konsumuara, partitë nuk deklarojnë emra.

Në PD është hedhur ideja për kalimin në sistemin "një anëtar, një votë". Si funksionon kjo formulë në një forcë politike dhe cili është komenti juaj si intelektual?

Kjo nuk është një ide që hidhet nga partitë e mëdha të politikës shqiptare, pasi liderëve të këtyre partive nuk u intereson një parim i tillë "një anëtar, një votë". Kjo është një ide e hedhur nga institucionet ndërkombëtare demokratike, kryesisht evropiane, të cilët kanë në patronazh Shqipërinë, zhvillimet demokratikë në vend dhe dëshirojnë që dhe shoqëria shqiptare të jetë demokratike, ku të respektohet vota e zgjedhësve. Liderët tanë politikë kanë aftësinë që, ato që thotë Perëndimi t'i thithin menjëherë dhe t'i vënë në shërbim të tyre e t'i shesin sikur është ide e tyre. Kjo është ide e imponuar nga Perëndimi karshi këtyre partive të mëdha dhe këto janë të detyruara që ta pranojnë këtë ide. Për herë të parë e ka hedhur si ide, më duket, kryetari i LSI-së, i cili do të jetë nxitur nga zhvillimet brenda PS-së dhe i imponuar në një farë mase nga institucionet demokratike evropiane. Unë jam i këtij parimi, sepse respektohet vendimi i votuesve, respektohet vota e popullit, respektohen programet e partive, mbi të cilat voton elektorati; brenda partisë respektohet mendimi i një anëtari, kufizohen divergjencat mes kryetarit të madh, kryetarit të vogël dhe anëtarve të thjeshtë pa të drejtë vote, ose pa alternativa etj. Kështu, në çdo këndvështrim që ta shikosh, i shërben zhvillimit demokratik të një partie dhe të vetë shoqërisë shqiptare. "Një anëtar, një votë" është një parim, i cili duhet të pranohet nga të gjithë partitë politike shqiptare.

Ky parim do t'i bënte më të besueshme dhe strukturat e partive, sepse, po të vemë re, në dy grupimet kryesore politike janë dy kryetarë të përjetshëm, të cilët, sa herë që të bëhen kongrese, ai që është kryetar aktual mund të bëhet sërish kryetar dhe mund të kthehet në të përjetshëm. Në një kohë që në një sistem demokratik rotacioni i pushtetit, qoftë dhe brenda partisë, është një parim bazë i jetës normale brenda partive politike. Po të vemë re, partitë shqiptare drejtuesit i kanë të përjetshëm. Ata sa herë që mund të bëjnë zgjedhje mund të fitojnë, sa herë mund të dalin kryetar, kur fiton partia e tyre bëhen kryeministër, apo Presidentë etj. Pra, kanë pushtet të pakufizuar.

Është hedhur një ide që kryeminsitri i ardhshëm i një forcë politike duhet të shpallet para zgjedhjeve parlamentare. Cili është komenti juaj?

Mirë është që çdo parti të mos ketë frikë që para zgjedhjeve të shpallë kryeministrin e ardhshëm, në mënyrë që elektorati të dijë se kush do ta drejtojë pushtetin në rast se kjo forcë politike do të fitojë. Jo vetëm PD-ja, por të gjithë forcat, që kanë ndërmend të konkurrojnë dhe të fitojnë, duhet të tegojnë që më parë se kush është ideatori i programit, që duan të vënë në jetë kur të vijnë në pushtet, si do ta vënë në jetë këtë program dhe sa i besueshëm është në elektorat. Një forcë politike po pati frikë të tregojë se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm tregon se nuk ka besim tek ajo kandidaturë, ose ka frikë nga ajo. Në qoftë se kandidatura do të ishte e pastër, me reputacion e pakonsumuar, e hapur për të zgjidhur porblemet e vendit, do të rrisë elektoratin. Po e fshehu dhe po pati frikë ta tregojë, do të thotë se është një figurë e konsumuar dhe ke frikë ta hedhësh në konkurrencë. Sa më transparentë të jenë partitë politike, aq më parë "të hedhin në treg" kandidatin dhe aq më mirë do të ishte për to. Po të vemë re zgjedhjet në SHBA, presidentët e ardhshëm janë shpallur me emra që më parë, duke paracaktuar me anë të referendumeve brenda partisë për të caktuar se kush do të drejtojë vendin. Këtu te ne ndodh e kundërta.

Pse ndodh kjo?

Është frika se psh., nga PS-ja, në qoftë se do të kandidojë dikush për kryetar qeverie natyrisht që do të jetë kryetari aktual i PS-së. Nga PD-ja, po qe se duhet të kandidojë dikush për kryetar qeverie, natyrisht që do të jetë lideri i PD-së. Sepse janë dy kryetarët e grupimeve politike kryesore dhe zakonisht kryetarët janë kandidatët e mundshëm për të drejtuar qeverinë. Duke qenë se janë figura që kanë gati 15 vjet në politikën shqiptare dhe sado mirë të kenë punuar do të jenë konsumuar, grupimet politike janë tkurur në mënyrë të tillë që i servilosen kryetarëve, duke mos nxjerrë kandidaturë, pasi i mungon demokracia e brendshme. Në qoftë se Nano do të thotë se unë do të kandidoj për kryetar qeverie, padiskutim që s'ka për ta kundështuar asnjë njeri brenda PS-së, e njëjta gjë vlen dhe për Berishën, pasi mungon demokracia e brendshme, mungon alternativa ndryshe, mungon një analizë për t'i thënë se, sado mirë që keni punuar, rotacioni i pushtetit është diçka normale. Sot ka ardhur koha që të ndërrohen pushtetet. Ka 8 vjet PS-ja dhe duhet me patjetër një rotacion se për ndyshe pluralizmi vihet në rezik. Kështu po kthehemi në kohën e Enverit, dikush vjen në pushtet dhe rri përjetësisht. Nano-Berisha janë dy kryetarë partish, që janë konsumuar dhe kanë pika ku mund t'i godasësh vazhdimisht. Nga mënyra se si kanë qeverisur në parti dhe në qeveri sado mirë të punosh të konsumon të qenurit në pushtet. Për mendimin tim, PD-ja duhet të vinte në pushtet pas 8 vjetësh qeverisje jo të mirë nga ana e PS-së, por nuk ka ndodhur rotacioni brenda për brenda partisë. Kjo është arsyeja që Ilir Meta u shkëput, pasi e pa gati të pamundur të konkurronte brenda partisë së tij. Ai hasi në një barrierë të vështirë dhe u detyrua që të krijojë një alternativë të re, e njëjta gjë ka ndodhur dhe te PD-ja. Sa herë që është bërë përpjekje për rotacion janë ndarë grupime, të cilët janë shpallur si armiq. Kjo është e keqja e realitetit shqiptar.

Po i jepet kompetencë pushtetit vendor për përgatitjen e listave të votuesve. Sa i aftë është ky pushtet për të bërë një punë të mirë?

Puna është se s'ka kush t'i bëjë tjetër po nuk i bëri pushteti lokal këto lista. Aty janë regjistrat e të gjithë qytetarëve. Kështu do të përqëndrohen te pushteti lokal. E keqja është se ky pushtet është i politizuar nën urdhrat e partive. Në Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, do t'i bëjë yzmet PS-së. Kryetari i Bashkisë duhet të konceptohet si kryetar Bashkie i qytetit. Në këtë pozicion, ai nuk i përket më asnjë partie, ai i përket qytetit. Nuk ka asnjë institucion tjetër më kompetent sesa bashkitë dhe komunat për përgatitjen e listave. Kështu e ka e gjithë bota, pra tërësisht të depolitizuar, kuse ne e kemi tërësisht të politizuar këtë pushtet.

Ju jeni njohur si një ish-figurë e politkës së PD-së të disa viteve më parë. Si vlerësoni ftesën e Berishës për afrim të ishave, intelektualëve, shoqërisë civile në strukturat e partisë së tij?

Në qoftë se ka vend për shoqërinë civile, apo për të larguarit e PD-së, kjo varet nga kryetari aktual i kësaj partie. Një grupim politik në qoftë se krijon kushte të hapura, ku çdokush është i lirë të shkojë të konkurrojë, të anëtarësohet, të bëjë karrierë politike etj., nuk ka nevojë për ftesë. Kur krijohen këto kushte, intelektualët afrohen vetë. Pikërisht, se nuk ka kushte të tilla del lideri dhe thotë: "Hajdeni ju të shoqërisë civile" ose "Hajdeni ju që jeni larguar" etj. Jo. Nuk është një grupim politik që, kur dua unë e afroj dhe kur dua unë e hedh. Duhet të krijohen kushte, ku intelektuali ta ndjejë veten të lirë, të flasë lirshëm, të hedhë një alternativë, të numërohet vota me pastërti, kështu ai afrohet vetë. Kur këto nuk plotësohen, intelektuali dhe kushdo rri larg. Ashtu siç u afruam te PD-ja në '90-'91, kur ishte me të vërtetë demokratike si parti dhe nuk kishin filluar luftrat dhe brrylat për karrierë politike. Është për të ardhur keq që pas 15 vjetësh intelektualët janë larguar nga PD-ja, por dhe nga PS-ja. Mes këtyre dy partive ka shumë ngjashmëri. Partia nuk është pronë private e dikujt, që të thotë unë ta hap derën, unë ta mbyll derën. Po u konceptua kështu, unë nuk kisha për t'u afruar kurrë. Kur të krijohen kushte për barazi afrohemi vetë. Nuk ka nevojë për ftesë, sepse unë i përkas PD-së, por nuk po gjej veten në atë ambient ku noton sot kjo parti. Ftesat janë sa për t'iu treguar ndërkombëtarve se është një parti e hapur, atëherë pse rri larg Eduard Selami, Aleksandër Meksi, të cilët janë themelues të PD-së.

Mendoni se ka ardhur koha për një kandidaturë rivale përballë Berishës?

Natyrisht, që ka ardhur. Gjithnjë kandidati që ka konkurruar përballë Berishës ka qenë fiktiv. Si puna e Namik Dokles, dikur përballë Ramiz Alisë. Është vështirë që brenda radhëve të PD-së të gjesh një kandidat përballë Berishës, pasi ai është një lider i padiskutueshëm i kësaj partie dhe është i vendosur që të drejtojë PD-në dhe pushtetin në qoftë se fiton. Kandidaturat janë vënë sa për të plotësuar kushtet e statutit të PD-së, por natyrsiht që do të fitojë Berisha. Njerëzit që janë pranë Berishës në një farë mase mund të konsiderohen dhe ata të konsumuar. Të qëndrosh për 8 vjet në opozitë dhe të mos kesh ardhur dot në pushtet, do të thotë mos jesh paraqitur para elektoratit në mënyrë të tillë që të bëhesh i besueshëm për të ardhur, pra quhesh i konsumuar. PD-ja ka nevojë të hapet dhe të drejtohet nga njerëz të pakonsumuar. Vetë elektorati ka nevojë për figura të reja dhe të besueshme. Mungesa e një kandidati do të dëmtonte vetë partinë, vetë elektoratin dhe imazhin e Shqipërisë në botë, sepse do të fitonin sërish socialistët dhe në rast se për 12 vjet nuk ndodh rotacioni vihet në pikëpyetje shoqëria shqiptare.

Si e shikon Brojka zhvillimet në Bashkinë e Tiranës?

Është krijuar një imazh ku dhe media ka influencuar në këtë imazh sikur "Edi Rama po punon" "ka ndryshuar imazhin e Tiranës" etj. Nuk kam ndonjë inat personal me të, por, duke njohur punën e bashkisë dhe duke njohur politikat shqiptare, them se pjesa dërmuese e punës së tij është demagogji. Edi Rama punon më tepër për karrierën e tij sesa për qytetin. I ndihmuar nga mediat, ai po tregon se mund të qeveriset ndryshe, mund të jetë dhe Kryeministri i ardhshëm për të teguar se ai mund të shpëtojë jo vetëm Tiranën, por ai mund të shpëtojë mbarë Shqipërinë. Infrastrukturën e Tiranës nuk po e rregullon Edi Rama, por paratë e taksapaguesve të kryeqytetit. Detyra e bashkisë është që t'i administrojë këto para. Me paratë e taksapaguesve mund të bëhen tre-katër rrugë, ndërsa ti bën vetëm një rrugë dhe unë si qytetar të them ti ke qeversiur keq. Por, këtu Rama ka përdorur propagandën. Në kohën kur isha kryebashkiak, aq pak para sa kam pasur i kam administruar mirë, pasi kanë qenë kushte të tjera. Po ndërtohet infrastruktura, por biznesi i vogël ka falimentuar, dhe ai i mesëm e i madh janë dëmtuar rëndë nga taksat e rënda të bashkisë. Po ja merr shpirtin me lejet e ndërtimit dhe me burokracirat. Unë bëj pyetjen po punon mirë Edi Rama në këtë drejtim? Një rrugë në Tiranë inaugurohet tri herë. Para se të fillojë puna, në mes të procesit dhe në fund të ndërtimit. Për çudi, të gjithë gazetarët janë atje. Dhe kur lyen një pemë, gazetarët janë atje. Ai, për hir të karrierës së tij politike, po fut hundët dhe në arsim, kur këto institucione varen nga ministria përkatëse. Ndërmerr lloj-lloj iniciativash për karrieren e tij politike. Për t'u dukur si shpëtimtar më duket se Rama ka thënë se "do të pajtoj Metën me Nanon kur të bëhem kryeministër, duke gjetur një urë lidhëse mes këtyre të dyve". Njerëz të tillë politika i njeh pasi kanë karizëm të theksuar, uroj që t'i shërbejë ky karizëm.

Shqipëria është një proces negociatash me BE-në mendoni se zhvillimet në vend nuk do të lejojnë integrim të vendit në këto struktura?

Bashkimi Evropian nuk po gërthet kot deri këto kohë "që Shqipëria nuk po plotëson standardet". Nuk është e rastësishme që po zvarriten negociatat me BE-në. Nuk është e rastësishme që Shqipëria kualifikohet si një nga vendet më të korruptuarat. BE po tregon se Shqipëria është larg rrugës demokratizuese që kërkon BE-ja. PS-ja nuk ka arritur që ta kuptojë ose nuk do që ta kuptojë. Nuk është rastësi që BE-ja thotë se zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe demokratike në 2005-ën. Kjo gjë që tregon se zgjedhjet e zhvilluara nuk kanë qenë të tilla dhe me standarde të tilla unë nuk të fus në Evropë. Nuk ka impenjim nga mazhoranca për të vënë në jetë këto kërkesa të BE-së. Për ta, ka rëndësi të fitojnë, pavarësisht se futet ose jo Shqipëria në BE. Hapi i parë për futjen e Shqipërisë në BE i takon demokratizimit të vendit, dhe demokratizimit të partive politike që drejtojnë sot. Shqipëria do një reputacion të ri për t'u futur në Evropë. Mendimi intelektual dhe formues është jashtë partive politike dhe brenda tyre ka një mendim konservator dhe mënyrë konstante për të drejtuar vendin. Po u vazhdua me këtë lloj skene, BE-ja do të jetë larg Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›