E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDR dhe LSI ankesë në Kushtetuese për Maks Shimanin

20/10/2004  Reformatorët dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të ankimohen në Gjykatën Kushtetuese, mbi formulën e ndryshimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në diskutimin e zhvilluar në Komisionin e Ligjeve, deputeti i LSI-së, Spartak Braho tha se, me Kushtetutë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë një mandat 7-vjeçar, ndaj dhe ata nuk mund të shkarkohen me ligje të veçanta, sipas ndërhyrjes së politikës. "Rotacioni bëhet një herë në tre vjet, sipas Kushtetutës, me tre anëtarë. Tre vjeçari i parë përfundoi, tani rotacioni i ardhshëm është pas tre vitesh, ndaj nuk mund të ndërmerret një ndërprerje e mandatit, pasi është antikushtetues", tha Braho. Ndërsa reformatori Nard Ndoka tha se, për këtë veprim do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim. Megjithë debatet, deputetët e PS-së dhe ata të PD-së kanë miratuar me shumicën e votave ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Sot amendamenti do të votohet në seancë plenare. Pas kësaj, mandati i Maks Shimanit do të ndërpritet në mënyrë automatike. Ndërsa, Këshilli i Lartë i Drejtësisë brenda 30 ditëve duhet të zgjedhë një tjetër anëtar për në KQZ, që do të propozohet nga Partia Demokratike. Deputetët kanë zhvilluar dhe një debat të ashpër për projektligjin e regjistrimit të popullsisë. Sipas Elmaz Sherifit, miratimi i këtij drafti hap rrugën për garantimin e zgjedhjeve të lira. Ndaj, ai ka kërkuar miratimin brenda ditës, pasi koha në dispozicion të institucioneve është tepër e vogël. Përfaqësuesi i LSI-së është shprehur pro draftit në parim dhe pse ka paraqitur disa pika për t'u ndryshuar. Por ai ka theksuar se pa u marrë më parë mendimi i qeverisë mbi faturën financiare, nuk mund të ketë një diskutim në komision. "Më parë duhet të shprehet Këshilli i Ministrave, pasi miratimi i një projekti që ka shpenzime pa mendimin e qeverisë është antikushtetues", tha Braho. Këtë e ka mbështetur dhe Nard Ndoka. Duke parë se drafti është kaluar në votim, pavarësisht vërejtjes që ata kanë bërë, Braho dhe Ndoka kanë braktisur Komisionin e Ligjeve. Sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve, fatura financiare mund të paraqitet nga qeveria para se drafti të kalojë në seancë plenare. "Kushtetuta përcakton se fatura duhet të jepet para se projektligji të bëhet ligj. Ndaj para se të diskutohet në seancë do të jepet dhe mendimi i qeverisë", tha Sherifi. Të njëjtit mendim i ka qëndruar dhe demokrati Beja. Në diskutimet nen për nen është vendosur që menjëherë pas miratimit të ligjit të nisë puna për regjistrimin e shtetasve. Punonjësit e Gjendjes Civile, kur një person rezulton i regjistruar në dy zona, do t'i referohen vendbanimit të fundit. "Në rastet kur është në një tjetër zonë dhe është i paregjistruar, personi do të votojë atje ku është i regjistruar", u tha në komision. Dje është pranuar të krijohen lehtësira në transferimin e dokumenteve të vendbanimit gjatë periudhës së rishikimit të listave. "Të gjithë kryefamiljarët që vullnetarisht paraqiten për të transferuar dokumentet, do të plotësojnë një formular. Në këtë rast, nuk do të kërkohet pagesa prej 1 mijë lekësh, që, sipas ligjit është faturë për transferim të gjendjes civile", u tha në komision.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›