E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk kam për ta harruar gardianin, që më përqafoi si vëlla

Autori i Lajmit: Red.
Lindi në fshatin Llugoxhi të komunës së Lipjanit në Kosovë, më 15.06.1930. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Kosovë. Në vitin 1951 vjen në Shqipërti ku gjatë viteve 1953-1957 kryen studimet e larta në Fakultetin Gjuhë-Letërsi. Shërbeu si mësues në disa shkolla të mesme të Tiranës. Në vitin 1978 arrestohet dhe dënohet me 9 vjet burg për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Në vitin 1995 është dekoruar me titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Ka botuar shumë libra.
QËNDRIMI NË BURGUN E TIRANËS
Pasi më dënuan me 9 vjet burg, gjoja për agjitacion e propagandë kundër partisë e pushtetit popullor, përgjegjësi i burgut, Zeqir Lalaj, më tha se të nesërmen do të më çonin në burgun e Tiranës dhe se do të më shoqëronte ai vetë. U nisëm me xhipsin e Sigurimit. Formalisht Zeqiri m i lidhi duart përpara dhe i tha shoferit të na çonte në spital. Kur hymë në oborr të spitalit, i tha shoferit të shkonte të blinte diçka për të ngrënë dhe pastaj më pyeti mua, se ku e kisha shtëpinë. Ia tregova, pastaj e pyeta:
- Ç të duhet shtëpia ime?
- Ta lajmëroj gruan që ke ardhë në Tiranë e mos të vijë ma në Rrëshen se mjaft ka ardhë 26 herë…
- I paske numëruar?
- Pothuajse të gjitha i kemi numërue, se na vinte keq prej saj, por s kishim çka me ba. Tani po ndahemi e ishalla shihemi shpejt në jetë të lirë. Unë, brenda mundësive që kam pasë, jam sjellë mirë me ju.
- Unë ju falënderoj shumë se jeni sjellë jashtëzakonisht mirë e këtë nuk do ta harroj kurrë e ishallah jua kthej në të mira.
Me të mbaruar falënderimin, për çudi, ai më përqafoi fort, sikur të isha i lirë dhe iu mbushën sytë me lot.
U hapën me rrapllimë dyert e jashtme të burgut të Tiranës dhe xhipsi hyri me shpejtësi në oborrin e burgut ku janë torturuar mjaft të dënuar e shumë prej tyre edhe kanë vdekur gjatë hetuesisë. Zeqiri më kapi për krahu dhe u nis të më çonte te dera e burgut, por i doli përpara një polic zeshkan, trupmadh dhe duke i thënë se “isha në dorën e tyre”, m u afrua e m i hoqi hekurat e ia dha Zeqirit. Pastaj m i vuri një palë hekura të rinj fringo sikur po i përdorte për herë të parë, megjithëse distanca deri te dera e burgut nuk ishte më shumë se 4 metra. Zeqiri më pa me keqardhje dhe ma ktheu shpinën. Në dorë mbante ata hekurat e rëndë, të vjetër më se 30-vjeçar. Kur iu afruam derës së kaushës, polici m i hoqi hekurat e rinj dhe më shtyri me force, gati sa nuk më rrëzoi...
Ky lajm është publikuar: 26/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›