E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj u shpall "Qytetar Nderi" i Tetovës

(e plotësuar) Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj u shpall sot "Qytetar Nderi" i Komunës së Tetovës. Me këtë rast, ai takoi kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçin dhe kreun e Tetovës, Sadi Bexhetin.

Haradinaj, pas marrjes së çmimit, tha se për të është nder, por edhe përgjegjësi që të jetë "Qytetar Nderi" i Tetovës, andaj, tha se këtë nder do të provoj ta arsyetoj gjithnjë me angazhimin e tij politik dhe njerëzor, në dobi tuajën.

"Aktin e sotëm dhe kujdesin e treguar, e vlerësoj si mirënjohje dhe respekt jo vetëm për mua personalisht, por për të gjithë atë që kanë kaluar Kosova dhe shqiptarët e Kosovës në dekadat e fundit, në përpjekjet për liri dhe pavarësi", theksoi Haradinaj, duke thënë se kjo ngjarje, bëhet edhe më e madhe për të, pasi që këtë vlerësim po e merr nga qyteti i Tetovës, i cili bëri gjithçka që ishte e mundur për shumë të zhvendosur nga Kosova, që gjetën strehë e pritje në shtëpitë tuaja.

"Ne, kurrë nuk do të harrojmë atë që ju e bëtë në vitin 1999. Ne në Kosovë kemi sfida, sikurse edhe ju, por, në harmoni dhe bashkëpunim, ne do të bëhemi faktorë stabiliteti dhe progresi në rajon". "Këtu në Tetovë, unë, bashkë me të gjithë ju, sot e përgjithmonë, kemi të drejtë të frymojmë thellësisht shqip dhe si evropianë, në të njëjtën kohë. Sepse, aq sa i takojmë vetvetes, po aq ne i takojmë Evropës dhe ajo na takon neve", theksoi Haradinaj.

...

Komuna e Tetovës sot është në pritje të Ramush Haradinaj dhe se janë bërë të gjitha përgatitjet nga autoritetet komunale për pritjen solemne.

Ish-komandanti i UÇK-së dhe lideri i AAK-së, sot do të shpallet qytetar nderi i kësaj komune. Para ndërtesës komunale është vendosur skena ku do të bëhet pritja solemne e Haradinaj dhe ceremonia e shpalljes së tij. Në këtë ngjarje madhështore për Tetovën janë të pranishëm edhe personalitete të tjera politike lokale, kryetari i komunës, Sadi Bexheti dhe kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi. Në këtë ceremoni pritet të ketë një program të shkurtër solemn artistik të kryesuar nga artisti Çun Lajçi.

Autoritetet komunale informuan mbi ceremoninë e cila do të zhvillohet solemnisht në ambientet e komunës.

Autoritetet e Tetovës kanë injoruar deklarimet e Inspektoratit të Pushtetit Lokal se gjoja do të rrëzohet vendimi i shpallur i komunës së Tetovës për Haradinaj, për shkak se nuk ishte respektuar parimi i Badenterit, duke përfshirë votat e këshilltarëve maqedonas, që bojkotuan seancën, raporton ina.

Kundër shpalljes së Haradinaj për qytetar nderi të Tetovës kanë reaguar partitë politike maqedonase.

Ndërkohë, PDSH përmes një komunikate njoftoi për vizitën e Haradinaj dhe një takim që do të zhvillohet me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi.

PDSH informoi se në qytet do të organizohet pritje madhështore nga ana e anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike Shqiptare. Haradinaj nuk përjashtohet të ketë takim edhe me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti dhe përfaqësues të tjerë të jetës publike dhe politike në Maqedoni./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›