E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Nuk kanë respektuar hixhabin”/Talibanët ndalojnë gratë afgane të vizitojnë parkun Band-e-Amir

Talibanët do të ndalojnë gratë afgane të vizitojnë një nga parqet kombëtare më të njohura të Afganistanit me argumentin se nuk kanë respektuar mënyrën e duhur për të mbajtur hixhabin, ose shaminë islame, kur shkojnë në Band-e-Amir në provincën qendrore Bamiyan.

Ky vendim vjen një javë pasi ministri, Mohammad Khalid Hanafi, vizitoi provincën dhe u tha zyrtarëve dhe klerikëve fetarë se gratë nuk i janë përmbajtur mënyrës së duhur të veshjes së hixhabit, duke i kërkuar personelit të sigurisë që t‘i ndalojë të vizitojnë pikën turistike.

“Shëtitja e ndonjë gjëje të bukur nuk është një domosdoshmëri për gratë,” tha Hanefi në atë kohë.

Zëdhënësi i ministrisë Molvi Mohammad Sadiq Akif ndau një raport të deklaratave të Hanafiut të shtunën vonë në mbrëmje, duke përfshirë përdorimin e forcave të sigurisë, klerikëve dhe pleqve për të zbatuar urdhrin e Hanefiut.

Për këtë vendim ka pasur edhe reagime kundër.

“Të pa kënaqur me privimin e vajzave dhe grave nga arsimimi, punësimi dhe lëvizja e lirë, talebanët gjithashtu duan të marrin prej tyre parqet dhe sportin dhe tani edhe natyrën, siç e shohim nga ndalimi i fundit i grave që vizitojnë Band-e-Amir.” tha Heather Barr, drejtoresha e asociuar për të drejtat e grave në Human Rights Watch në një deklaratë të dërguar me email. “Hap pas hapi muret po mbyllen mbi gratë, ndërsa çdo shtëpi bëhet burg”, shpreh shqetësimin ajo.

Nëntorin e kaluar, qeveria e udhëhequr nga talebanët i ndaloi gratë të përdorin hapësirat publike, duke përfshirë parqet , duke thënë se ato nuk e mbanin hixhabin në mënyrë korrekte ose nuk ndiqnin rregullat e ndarjes gjinore.

Që nga marrja në dorëzim e vendit më 15 gusht 2021 pas tërheqjes së forcave të SHBA-së dhe NATO-s, ata kanë vendosur disa kufizime që synojnë vajzat dhe gratë afgane, duke përfshirë ndalimin e vajzave për të shkuar në shkollë përtej klasës së gjashtë dhe ndalimin e grave afgane nga punët në vend.

Këto masa të ashpra shkaktuan një zemërim të ashpër ndërkombëtar, duke përfshirë edhe vendet me shumicë myslimane.

Band-e-Amir është një atraksion i madh turistik në Bamiyan. Ai u bë parku i parë kombëtar i vendit në vitin 2009 dhe tërheq mijëra vizitorë çdo vit. Është një burim i madh të ardhurash për vendasit dhe bizneset e tyre të vizitave, restoranteve, hoteleve dhe artizanatit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›