E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk kërkojmë lëmoshë, por pronat tonaNga TemaLetër publike për zotin Sherefedin Shehu dhe Enkelejd Alibeaj nga Kryesia e shoqatës kombëtare të të shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” Para 10 ditësh zvministri i Financave, z. Sherefedin Shehu,

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Nuk kërkojmë lëmoshë, por pronat tonaNga Tema

Letër publike për zotin Sherefedin Shehu dhe Enkelejd Alibeaj nga Kryesia e shoqatës kombëtare të të shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”

Para 10 ditësh zvministri i Financave, z. Sherefedin Shehu, njoftoi se në vitin 2010 shteti po u jep pronarëve dhe ish-të përndjekurve nga 20 milionë euro për kompensimet e tyre! Pa vënë në dyshim dashamirësinë e zv/ministrit, ne, si përfaqësues të pronarëve legjitimë (jo ishër!), pohojmë se nuk i kemi kërkuar lëmoshë qeverisë, por kërkojmë pronat tona që duhet të na i kishte kthyer që në vitin 1991 dhe që edhe sot pas 18 vjetësh, edhe pse janë të lira, mbahen peng dhe nuk po kthehen tek i zoti, për shkak të korrupsionit apo pushtimeve. Do të ishte më e saktë të thuhej që qeveria po vazhdon duke i dhënë një kockë pronarëve për të mbuluar abuzimet, vjedhjet e pushtimet. Me këto thërrime që jep qeveria, me këtë drejtim të gabuar që po vazhdon, do të duhen 1500 vite që të shlyhet fatura, pa diskutuar se ky tjetërsim i pronës nuk bëhet për nevoja publike, por për interesa klanesh dhe politikanësh. Nuk e dimë pse na thotë ky zotëri, që viti 2010 do të jetë i mbarë për pronarët, kur me këtë shumë do të përfitojnë rreth 220 pronarë, por vetëm për 200 m2 për secilin dhe veç të tjerash, është i sigurt korrupsioni dhe në këtë shpërndarje!

Më tej zv/ministri pohoi se ARMO dhe korporata të tjera nuk japin gjë, sepse janë bërë privatizimet më parë, kur ai e di mirë se ligji i kompensimit ka dalë që në vitin 1993! Dhe së fundi na thotë që KESH, një gjigant i madh, do na japë euro të tjera!

Pa asnjë paragjykim për zotin zv/ministër, ne i kujtojmë se kjo intervistë jepet në mbarim të mandatit të tij dhe nuk ka asnjë siguri, se ky zotëri do të jetë prapë në këtë post për t’u dalë zot këtyre premtimeve. Pronarët dinë se kryesia e ekzekutivit, Berisha-Meta, para pak ditësh duke shpalosur prioritetet e qeverisë së re “të integrimit” as e përmendën parimin dhe detyrimin kushtetues për pronat tek i zoti dhe kur do të fillojë lufta efektive ndaj korrupsionit të politikanëve me pronat tona!

Me këto deklarata bëhet vetëm një punë agjitative, duke maskuar grabitësit e pronave dhe duke u thënë të gjithëve: ja ku po shkojnë paratë e privatizimeve! Po ua japim ishëve!

Zoti zv/ministër! Është detyrimi i Ministrisë së Financave dhe tashmë e ministrit Bode që të bëjë publike se sa është fatura e kompensimit dhe ta parashtrojë këtë në Këshillin e Ministrave, duke arsyetuar që kjo shumë është e pamundur të mbulohet dhe për këtë arsye, duhen që të kërkohet hartimi i një ligji të ri që të respektojë të drejtën e pronësisë konform detyrimeve kushtetuese, ku të predominojë kthimi fizik i pronave tek i zoti, duke ulur në maksimum këtë faturë gjigante për buxhetin. Nuk ka se si të përafrohemi në BE me avazin “ vjedh prifti e paguan fshati”!

Disa vjedhin, disa mashtrojnë e zaptojnë tokën e tjetrit duke ndërtuar pa lejë banesa e biznese për t’i shitur e pasuruar, ndërsa ministria na nxjerr fonde për të paguar zullumin e bërë nga ata që shkelin ligjin! Ky klan e ka kuptuar demokracinë dhe postin si mundësi për të grabitur pronën e tjetrit.

Askund nuk është dëgjuar, në ndonjë nga shtetet ish-komuniste, që qeveritë e tyre të tregohen “kaq zemërmira” me pronarët e vendit të tyre duke nxjerrë nga 20 milionë euro për të mashtruar pronarët. Qeveritë e ish-vendeve socialiste tashmë e kanë kthyer pronën që u takonte pronarëve legjitimë e nuk e kanë prekur buxhetin që u takon të gjithë shtetasve.

Zoti zv/ministër, ju, duke qenë ekspert i ekonomisë, e kuptoni që kjo është një tallje e radhës me shtresën e pronarëve dhe kjo platformë është shkatërrim ekonomik dhe social i programuar. Megjithatë do të kërkonim një mendim të shprehur publikisht nga ju si kompetent dhe larg dhunës politike se si e mendoni: “kompensimin e pronarëve dhe rrugët për realizimin e tij”

Shoqata e pronarëve “Pronësi me Drejtësi” ka bërë studime e llogaritje, e njeh mirë praktikën e të gjitha qeverive paskomuniste dhe ka arritur në bindje se kjo propagandë “kompensimi e pronave” është një blof, që qeverisë i shërben për konsum të jashtëm, se në Shqipëri nuk gjenden më naivë që ta besojnë këtë!

I drejtohemi publikisht dhe zoti Alibeaj, si jurist dhe si ish-ministër i Drejtësisë, që ka qenë i angazhuar në hartimin e këtyre vendimeve dhe të kësaj platforme, që të sqarojë pronarët publikisht në shtyp për këto pika:

1. A përputhet me nenet 181 dhe 41 të Kushtetutës në fuqi kompensimi për tokat e ndara me Ligjin 7501, kur dihet se Ligji 7501 nuk merr parasysh të drejtën e pronësisë, as kufijtë dhe as vendndodhjen e tokës së shpronësuar padrejtësisht nga diktatura? Mbas sa vjetësh do të përfundojë kompensimi duke zbatuar kufizimet shumëfishe për të shpronësuarin dhe kompensimi i metrit të fundit për të gjitha pronat që normalisht duhet të ishin kthyer në origjinë që në vitin 1991?

2. Nëse një anëtar i familjes që jeton në fshat ka përfituar nga një privatizim ose nga Ligji 7501, po vëllai i tij dhe trashëgimtarët e të njëjtit pronar përse përjashtohen nga e drejta e trashëgimisë dhe e pronës tyre të trashëguar, me arsyetimin se ata jetojnë në qytet?

3 Nëse një ligj për pronat bie ndesh me të drejtën e pronësisë, sipas nenit 41 dhe 181 të Kushtetutës, a duhet të anulohet ai ligj apo duhet të zbatohet dhe të thellohet edhe më tej?

4 Sipas mendimit tuaj, vendimet për dhënien e titullit “person i stimuluar” personave të tretë, pas vitit 1995 pa marrë parasysh faktin se ajo tokë kishte zot dhe ishte e shpronësuar padrejtësisht nga diktatura, a përputhen me ligjin 8053 dhe nenin 41 dhe 181 /1 të Kushtetutës dhe ky legjislacion a përbën pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE?

5. Sipas ligjit në fuqi, kur fshati turistik ndryshon destinacionin, trualli i njihet dhe i kthehet trungut familjar të pronarit të shpronësuar. Përse ju si ministër i keni propozuar qeverisë një ligj që është shumë më i keq se shtetëzimi komunist i vitit 1946?

6. Kompensimet për pronarët autoktonë të zonës turistike, si dhe projektligji për shitjen e trojeve të ish-fshatrave turistike bien ndesh me ligjin 8053 të vitit 1995 dhe ligjin nr. 9948 të vitit 2008. Ju pyesim: Pse mbështetësit e këtyre ligjeve janë të interesuar për thellimin e anarkisë institucionale dhe për të realizuar grabitjen e zyrtarizuar të bregdetit?

8. Si njeri i drejtësisë a mund të na thoni publikisht në përgjigjen tuaj se si duhet të veprojnë pronarët që të miratohet një ligj që të thotë se Kushtetuta duhet të zbatohet dhe se ligjet që bien ndesh me Kushtetutën janë nul dhe pa vlerë juridike dhe që ky ligj të mos mbetet në letër, por të zbatohet?

9. Në vlerësimin tuaj qytetar ju a e vlerësoni të drejtë kërkesën tonë që qeveria e re e koalicionit Berisha-Meta të angazhohet me prioritet që të anulojë gabimet e bëra me pronat nga 1991, të angazhohet dhe të çlirojë pronat private të pushtuara pas vitit 1991 nga personat e tretë, si dhe t’i kthejë ato në pronësi të pronarit të shpronësuar apo për të realizuar këtë do të duhet që veç kërkesave të shoqatës, pronarët në mënyrë masive t’i drejtohen institucioneve ndërkombëtare, BE dhe Senatit të SHBA që ata të ndihmojnë efektivisht për zbatimin e të drejtës së pronës së trashëguar dhe vendosjen e shtetit ligjor?

Në pritje të përgjigjes tuaj në media.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›