Tallja e qeverisë me të dëmtuarit nga tërmetiNga TemaQeveria shqiptare ka dërguar ndihma për banorët e goditur nga tërmeti i së dielës së shkuar. Ajo ka ndihmuar fshatrat e Dibrës me ujë, ku ujë ka me bollëk, ka dërguar fasule, në një vend ku prodhoh
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Tallja e qeverisë me të dëmtuarit nga tërmetiNga TemaQeveria shqiptare ka dërguar ndihma për banorët e goditur nga tërmeti i së dielës së shkuar. Ajo ka ndihmuar fshatrat e Dibrës me ujë, ku ujë ka me bollëk, ka dërguar fasule, në një vend ku prodhohet fasulja për nevojat e të gjithë vendit. Ndërsa ironia më e madhe është që qeveria shqiptare ka dërguar konserva me mish derri në një krahinë ku të gjithë banorët janë myslimanë dhe për më tepër në muajin e Ramazanit. Banorët e revoltuar janë shprehur se nuk kanë nevojë për ujë, fasule apo vaj. Ata presin financim për ri-ngritjen e shtëpive të dëmtuara rëndë dhe riparimin e atyre që janë dëmtuar lehtë. Kjo nuk mbaron këtu. Skandali vazhdon. Një ditë më parë qeveria shqiptare ka provuar të çojë në qendër të fshatit çadra kolektive, ide e cila menjëherë është hedhur poshtë nga banorët e zonës.
Ata kërkojnë të sistemohen në mënyrë urgjente, pasi qindra prej tyre deri tani e kanë kaluar natën jashtë. Banorët janë kundër kampit të përbashkët në fshatin Gjoricë, në të cilin nuk pranojnë të strehohen. Fillimisht ata kërkojnë çadra në oborret e shtëpive, ndërsa më pas fondet për ri-ngritjen e banesave. Pavarësisht premtimeve të qeverisë, deri tani për qindra banorë ndihma ka qenë e munguar.
Banorët shprehen se janë në kufijtë e fundit të rezistencës, ndaj duan zgjidhje të shpejta, dhe jo thjesht fjalë e premtime. Të pakënaqur nga zgjidhjet gjysmake apo disa të cilët nuk kanë përfituar asnjë ndihmë, shumë prej banorëve kanë protestuar para zyrave të pushtetit vendor. Janë 800 shtëpi të dëmtuara në Gjoricë nga 1 300 gjithsej, dhe ata që janë dëmtuar janë më të varfrit e kësaj krahine, shumica pa punë e të ardhura të tjera, si dhe me shtëpi të ndërtuara me qerpiç pa asnjë mundësi strehimi tjetër, ndaj sipas tyre nuk janë 20 fletë çadre që mund t’ua zgjidhin këtë hall.
Gjithashtu banorët akuzojnë qeverinë dhe pushtetin lokal, pasi nuk ka vepruar në kohë për përballimin e pasojave të rënda të tërmetit 7 ballësh të së dielës mbrëma.
Rama takon banorët
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vizituar zonat e goditura nga tërmeti i së dielës. Rama është ndalur në komunën Gjoricës dhe Shupenzës. Banorët i kanë shprehur atij shqetësimin për mungesën e vëmendjes dhe ndihmës nga shteti. Rama ka qëndruar për disa orë me banorët, ndërsa nuk ka nguruar të sulmojë qeverinë.
“Kjo është skandaloze, që në mes të Evropës ndodh një fatkeqësi e tillë dhe njerëzit vazhdojnë të flenë jashtë, ndërkohë që kryeministri vjen për të bërë shfaqje. Është një pushtet pa asnjë lidhje me interesat e njerëzve, pa asnjë lidhje me hallet dhe shqetësimet e njerëzve, pa asnjë lidhje me nevojat e tyre. Është një pushtet, i cili ka lindur vetëm për të plaçkitur çfarë të mundet, për t’u pasuruar në kurriz të njerëzve. Ne do bëjmë gjithçka mundemi për të ngritur zërin”, - tha Rama.
Të tjerë banorë në fatkeqësinë që u ka ndodhur akuzojnë shtetin për papërgjegjshmëri në trajtimin e rastit të tyre.
“Rrimë në divane jashtë. Asnjë ndihmë. Shteti mos të sjellë ujë të gazuar, kemi ujë të burimit ne. Erdhi kryeministri dhe me asnjë nuk u takua. U fut në lokal, se çfarë bëri me ata komunarët, doli, pastaj ia mbathi, se ku shkoi nuk e dimë. Na sollën fasule, në vend që t’ju sjellim ne fasule juve në Tiranë, na i sjellin ata. Kjo është jashtë mendjes. Ne kemi nevojë për materiale ndërtimi, nuk kemi kërkuar nga shteti makarona, oriz dhe fasule, por materiale për riparimet e shpejta të shtëpive”, - shprehen banorët e prekur nga tërmeti.
Kryqi i Kuq shpërndan ndihma
Kryqi i Kuq Shqiptar i ka ofruar një paketë ndihme familjeve të dëmtuara nga tërmeti që goditi disa fshatra të rrethit të Bulqizës në datën 6 shtator. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme dhe strukturat përkatëse vendore, Kryqi i Kuq Shqiptar ka vendosur të kontribuojë me materiale të ndryshme për strehimin në kampingjet që janë ngritur për familjet më të dëmtuara. Bazuar në nevojat e vlerësuara dhe mbështetur në planin e shoqatës për raste katastrofash, do të vihet në dispozicion një paketë ndihmash për rreth 50 familje në nevojë, nga gjendja rezervë e Shoqatës e destinuar për raste katastrofash. Paketa e ndihmës përbëhet nga batanije, dyshekë, çarçafë dhe këllëfë, krevate portative, kite higjienike, sapun tualeti, detergjent, shampo, bidonë uji etj.
Përllogaritja e dëmeve
Pas mbledhjes së parë të Shtabit të Emergjencës në prefekturën e Dibrës, zhvilluar sot në mesditë, paraprakisht rezulton se të paktën 166 shtëpi në rang qarku janë të pabanuara dhe shumë të tjera të dëmtuara.
Ndërkohë të dëmtuara janë dhe një qendër shëndetësore, 3 shkolla dhe 3 kabina elektrike. Më të dëmtuara, sipas përllogaritjeve të para, rezultojnë të jenë komunat në rrethet Bulqizë dhe Dibër. Sipas raportimeve të kryetarëve të komunave në rrethin e Bulqizës, në Gjoricë rezultojnë 64 shtëpi të pabanuara, ndërsa është dëmtuar qendra shëndetësore dhe shkolla Lubalesh në këtë komunë.
Në komunën Shupen llogariten deri tani 10 shtëpi të pabanuara, në komunën Fushë-Bulqizë 3 shtëpi të pabanuara, në komunën Ostren 1 shtëpi e pabanuar dhe dy shkolla të dëmtuara lehtë, ndërsa në komunën Zerqan 9 shtëpi të pabanuara.
Për sa i takon rrethit të Dibrës, siç është raportuar në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës, dëmet më të mëdha janë shënuar në komunën Maqellarë, ku llogariten 70 shtëpi të dëmtuara, shumica e të cilave të pabanuara. Në komunën Luzmi 4 shtëpi të pabanuar dhe dy kabina elektrike të dëmtuara, në komunën Arrac tri shtëpi të pabanuara dhe 1 kabinë elektrike e dëmtuar, kurse në komunën Muhurr 9 shtëpi të pabanuara.
Sipas raportimeve, dëme më të vogla janë regjistruar në rrethin e Matit, 1 shtëpi e pabanuar dhe në bashkinë e Klosit, tri shtëpi të dëmtuara. Shtabi i Emergjencës Civile i mbledhur sot në mesditë në prefekturën e Dibrës, nën drejtimin e prefektit Xhaferr Seiti dhe me pjesëmarrjen e zv/ministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, pritet të mblidhet edhe pasditen e sotme, për raportimin e dëmeve të tjera që mund të jenë shkaktuar nga lëkundjet e tërmetit.
Lëkundjet
Tërmeti që goditi vendin, me epiqendër rrethin e Dibrës, ka vazhduar të shënojë lëkundje edhe gjatë orëve të vona të këtyre netëve, arsye kjo për të cilën banorët e komunave të goditura më tepër janë ndjerë të pasigurt dhe kanë vendosur ta kalojnë të pestën natë në qiell të hapur. Sipas të dhënave paraprake të sizmologëve, lëkundje të tjera tërmeti vazhdojnë të tronditin zonën e prekur më shumë prej tij, si komunat Gjoricë apo Shupenzë të rrethit të Dibrës. Instituti Sizmologjik informoi se lëkundjet e tërmetit kanë vazhduar deri ditën e hënë pas mesnate në qarkun e Dibrës, ndonëse me një forcë shumë herë më të vogël. Ekspertët thanë se epiqendra ka qenë sërish fshati Gjoricë. Ekspertët sizmologë të institutit shkencor paralajmërojnë se lëkundjet do të vazhdojnë, por do të jenë të lehta deri në çlirimin e energjisë. Dhjetëra familje në komunën e Gjoricës dhe Shupenzës e Ostrenit kanë qëndruar në qiell të hapur, pasi banesat e tyre, ose janë shembur tërësisht, ose janë dëmtuar deri në nivelin për të qenë të rrezikshme për të banuar brenda.