Nuk lejohet hyrja e ministrit Makolli në Serbi

Autoritetet serbe nuk kanë lejuar ministrin e Diasporës Ibrahim Makolli që të kalojë kufirin Kosovë-Serbi në vendkalimin kufitar në Konçul.
Ministri Makolli po udhëtonte në një vizitë zyrtare në komunat shqiptare në Luginën e Preshevës.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi e quajti pengesën skandal politik.
Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi ka theksuar se policia lokale ka pasur një urdhëresë për të penguar hyrjen e Makollit në Serbi.
Ai sqaroi se autoritetet policore lejonin hyrjen e tij në cilësinë e qytetarit të thjeshtë, por jo si ministër i qeverisë së Kosovës.
Kamberi tha gjithashtu se kjo ndalesë e ministrit Makolli është mos respektim edhe i marrëveshjeve të arritur në Bruksel në dialogun Prishtinë- Beograd.
Vizita e ministrit Makolli kishte për qëllim informimit nga afër të gjendjes aktuale politike të shqiptarëve në Preshevë dhe për gjendjen në të cilën jetojnë ata.
Ditë më parë, një grup intelektualësh nga Lugina e Preshevës kanë kërkuar nga krerët e institucioneve që të zhvillojnë vizita në këtë rajon të banuar me shumicë shqiptare.