E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk luan me Shqipërinë kundër Uzbekistanit

Ahmed Januzi as më 11 gusht në ndeshjen miqësore ndaj Uzbekistanit nuk do të mund të debutojë në fanellën e Kombëtares së Shqipërisë.

Në fakt, sulmuesi kosovar është ftuar edhe për këtë takim nga përzgjedhësi Josip Kuze, por futbollisti i Vorskla Poltavës e ka dorën e thyer, në kampionatin ukrainas.

Si pasoj e këtij lëndimi, ish-sulmuesi i Kosovës së Vushtrrisë ka treguar se nuk do të mund të luajë në Durrës me kuqezinjtë ndaj Uzbekistanit.

“Gjasat për të luajtur janë shumë, shumë të vogla, sa për të mos thënë se s’ka fare, sepse dora ime është e thyer dhe tani veç sa ka filluar të shëndoshet. Andaj nuk duhet rrezikuar”, ka deklaruar Januzi për Express.

Megjithatë, 22-vjeçari ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kuzes, duke pohuar se do t’i bashkohet Kombëtares kuqezi për miqësoren e 11 gushtit. Ndërsa, mjekët e përfaqësueses shqiptare do ta thonë fjalën e fundit se a do të mund të aktivizohet Januzi, apo jo.

“Mjekët më kanë thënë të pushoj të paktën edhe dy javë. Megjithatë, unë do t’i bashkohem Kombëtares dhe do ta bëj edhe një kontroll te mjekët e ekipit kombëtar dhe ata do të vendosin se a do të mund të luaj apo jo, edhe pse nuk besoj se do të mund të luaj”, theksoi Januzi.

Futbollisti vushtrrias ishte ftuar në Kombëtaren A të Shqipërisë edhe në dy miqësoret e kaluara – ndaj Malit të Zi dhe kundër Andorrës, por në asnjërin takim nuk qe aktivizuar. Andaj, Januzit i vjen keq që as kësaj radhe nuk do të mund të aktivizohet, me ç’rast debutimi i tij me ekipin kuqezi po zvarritet.

Megjithatë, ai beson se shumë shpejt do t’i vijë dita për të zbritur në fushën e blertë me fanellën kuqezi.

“Më vjen keq që në mungesë të fatit debutimi im me Kombëtaren po shtyhet. Megjithatë, e falënderoj Kuzen dhe stafin e tij për mirëkuptim. Unë besoj se shpejt do të vijë dita të luaj me Kombëtaren. E rëndësishme është që po ftohem në Kombëtare, ndërsa mua më mbetet t’i tregoj vlerat e mia. Do ta jap maksimumin edhe për klub, në mënyrë që të bëj vend në Kombëtare”, përfundoi Januzi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›