E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ma ndalin ëndrrën

Letra e hapur e Jafar Panahi me rastin e hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Nga Express më 13 shkurt 2011 në ora 14:12

Regjisori i njohur iranian Jafar Panahi mjaft i vlerësuar artistikisht në botë e fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, si “Luani i Artë” në Kanë, “Ariu i argjendtë” në Berlin etj., u arrestua më 2 mars të vitit 2010 si pjesëmarrës i manifestimeve kundër regjimit diktatorial të Ahmadinejadit. Nën presionin e organizatave ndërkombëtare në mbrojtje të lirisë së njeriut e nën mobilizimin e artit të kinematografisë botërore qeveria iraniane e lë të lirë më 24 maj.

Më 20 dhjetor 2010, ai arrestohet përsëri e dënohet me gjashtë vjet burg e me pamundësinë për të shkruar, drejtuar e prodhuar film, për të dhënë intervista brenda e jashtë Iranit për 20 vjet. Kjo letër prekëse e regjisorit iranian Janafi Panahi për Festivalin e 61-të Ndërkombëtar të Filmit në Berlin ku ishte ftuar të merrte pjesë si anëtar i jurisë së tij, tingëllon si himn i një revolucioni të realizuar nga arti i shtatë, kinematografia.

Bota e një filmbërësi është një gërshetim midis realitetit e ëndrrës. Filmbërësi përdor realitetin si një burim frymëzimi, e pikturon me ngjyrat e imagjinatës së tij e realizon filma që janë një projektim i shpresave e i ëndrrave të tij.

Realiteti është se në pesë vjetët e fundit më është ndalur të bëjë filma e aktualisht jam dënuar zyrtarisht të privohem nga kjo me drejtë për 20 vjet të tjera. Por di se me imagjinatën time do të vazhdoj të shndërroj ëndrrat e mia në film. Si një filmbërës socialisht i vetëdijshëm rinjoh se nuk do jem më në gjendje të përfaqësoj preokupimet e problemet e përditshme të popullit tim, por nuk do mohoj mundësinë të ëndërroj se pas 20 vitesh të gjitha këto probleme do të shuhen e unë do të bëj filma mbi paqen e begatinë e vendit tim, kur ta kem mundësinë ta bëjë përsëri.

Realisht është se më kanë ndaluar nga mundësia për të menduar e shkruar për 20 vitet e ardhshme, por nuk do ja dalin të më ndalojnë të ëndërroj se pas 20 vitesh inkuizicioni e frika do t’i kenë lënë vendin lirisë e mendimit të lirë.

Më kanë ndaluar nga mundësia për të parë botën për 20 vitet e ardhshme. Shpresoj se kur të jem i lirë mund të udhëtoj në një botë pa barrikada gjeografike, etnike e ideologjike, ku njerëzit jetojnë së bashku në liri e paqe, pavarësisht besimeve e bindjeve të tyre.

Më kanë dënuar me 20 vjet heshtje. E megjithatë, në ëndrrat e mia ulëras që të vijë një ditë ku të tolerojmë e të respektojmë opinionet reciproke, të jetojmë njëri për tjetrin.
E vërteta e dënimit tim në fund të fundit është se do bëj gjashtë vjet burg. Për gjashtë vitet e ardhshme do jetojë me shpresën se ëndrrat e mia do të bëhen realitet. Uroj që filmbërësit në çdo cep të botës të realizojnë filma kaq të bukur që kur të dalë nga burgu do të më bëjnë të dëshiroj të vazhdoj të jetoj në botën që ata kanë imagjinuar me veprat e tyre.

Pra nga ky moment e në vazhdim për 20 vjet më radhë do të jem i detyruar të hesht. Do të jem i detyruar të mos shoh, do të jem i detyruar të mos mendoj e do të jem i detyruar të mos realizoj filma.

I nënshtrohem realitetit të burgut e atyre që më mbajnë të burgosur. Do të kërkoj në filmat tuaj shfaqjen e ëndrrave të mia, duke shpresuar të gjej në to atë nga e cila jam privuar.

Jafar Panahi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›