Ndjekje penale, ish-deputetit dhe kryetarit të Komunës
PASURITë
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka dërguan në prokurori, ish-deputetin e PR, Hajrulla Paturri dhe kryekomunarin e Kolshit në Kukës, Abedin Oruçi
Artan CENA
Tiranë - Dy funksionarë të shtetit, një ish-deputet dhe një kryetar komune janë dërguar për ndjekje penale në prokurori nga ILDKP-ja, për shkak të mos deklarimit të pasurive. Burime zyrtare nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive thanë gjatë ditës së djeshme se, kanë kallëzuar penalisht kryetarin e Komunës Kolsh, në Kukës, Abedin Oruçin, për fshehje të pasurisë në shifrat mbi 30 milionë lekë, si edhe ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Hajrulla Paturri për “refuzim për deklarim të interesave private”. Gjatë komunikimit me media, zyrtarët e ILDKP-së, kanë bërë të ditur se, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kërkuar dy ditë më parë nga institucioni i Prokurorisë nisjen e procedimit penal për ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Hajrulla Paturri, për veprën penale të “refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal. Paturri, në dijeni të plotë të detyrimit për deklarim të interesave private brenda 15 ditëve “pas largimit nga funksioni”, parashikuar nga neni 15/7 i ligjit numër 9367, datë 7.4.2005 “për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i njoftuar zyrtarisht nga Kuvendi i Shqipërisë dhe i komunikuar drejtpërdrejtë nga Inspektorati i Lartë, nuk ka përmbushur ende detyrimin ligjor. Sipas burimeve zyrtare nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në muajin nëntor 2009, ky institucion ka vendosur masën administrative “gjobë” ndaj ish-zyrtarit për “vonesë në deklarim”, fakt i cili është bërë publik në media. Pavarësisht këtyre masave, subjekti ende nuk ka dorëzuar deklaratën e interesave private, duke konsumuar elementët e veprës penale, për të cilën ai është dërguar në ndjekje penale.
Gjithashtu Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka dërguar për ndjekje penale dhe kryekomunarin Abedin Oruçi. Pas kontrollit të ushtruar ndaj Oruçit, rezultoi se në vetëdeklarimet e tij pranë ILDKP, zyrtari lokal nuk ka pasqyruar: 3 objekte banimi, me sipërfaqe totale ndërtimi 1020 metër katror, troje me sipërfaqe të përgjithshme 3614 metër katror, si edhe një pikë karburanti, të gjitha në territorin e qarkut Kukës. Të dhënat janë zbuluar prej informacioneve të mbërritura nga ALUIZNI, ku subjekti ka dorëzuar dosjen për legalizimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë informale, si edhe nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Kukës. Pas konstatimit të parregullsive, Inspektorati i Lartë i kërkoi subjektit Oruçi të paraqiste sqarimet e tij mbi objektet e padeklaruara, gjë e cila u refuzua prej tij. Për të krijuar një situatë më të qartë mbi vlerën financiare të investimit të kryer nga kryekomunari, ILDKP ka kërkuar dhe mendimin e një eksperti të licencuar për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, i cili shqyrtoi të dhënat e vetëdeklaruara prej Oruçit në zyrat e ALUIZNI-t (vetëm për tre objektet e banimit). Në opinionin e ekspertit vlerësues, vlera e ndërtimeve të padeklaruara në Inspektoratin e Lartë nga Kryetari i Komunës Kolsh është 31.413.017 lekë, shumë, e cila për më tepër, nuk justifikohet nga të ardhurat e subjektit ndër vite.
E pikërisht, bazuar në këto përfundime, ILDKP ka kërkuar dy ditë më parë, nga Prokuroria nisjen e procedimit penal ndaj subjektit Abedin Oruçi, për veprën penale “refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike”, ndaj deklarimit të interesave private Abedin Oruçi, me funksion Kryetar i Komunës Kolsh të Qarkut Kukës.
Mos deklarimet
3 objekte banimi, me sipërfaqe totale ndërtimi 1020 m²
Troje me sipërfaqe të përgjithshme 3614 m²
Një pikë karburanti, të gjitha në territorin e qarkut Kukës
Niset për në Bolonja, avioni ulet në Bratislavë
Tiranë - Një avion i “Albanian Airlines”, i nisur nga Tirana në drejtim të Bolonjas ka ndryshuar rrugë në mënyrë të dyshimtë, duke përfunduar në kryeqytetin sllovak, Bratislavë. Siç bënë të ditur burime nga aeroporti i Rinasit, avioni me 140 pasagjerë në bord ishte ngritur në ora 15:00 nga Rinasi me destinacion aeroportin e Bolonjës në Itali. Por gjatë fluturimit pilotët kanë devijuar trajektoren e parashikuar dhe mësohet se avioni ka përfunduar në Bratislava. Nuk janë të qarta shkaqet që avioni ka ndryshuar vendin e uljes dhe deri më tani mendohet se ka qenë një protestë nga ana e pilotëve të kompanisë, për shkak të mos pagesës së rrogave. Sipas të dhënave, janë 140 pasagjerë të nisur nga Tirana për në Itali me avionin e Albania Airlines por që pas më shumë se dy orësh në ajër ka përfunduar në Bratislavë të Sllovakisë. Skandali është bërë i ditur nga familjarët e pasagjerëve të cilët kanë njoftuar median në lidhje me këtë ngjarje. Ata ishin lidhur në telefon me të afërmit dhe kur kanë marrë vesh që ishin në Sllovaki kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve. Sipas informacioneve paraprake mësohet se shkak i këtij devijimi është bërë mungesa e pagave për pilotët, të cilët kanë zgjedhur këtë formë si rebelim ndaj mosmarrjes së parave. Sipas pasagjerëve avioni ka ndenjur për më shumë se 2 orë në ajër dhe më pas është ulur në Bratislave. Pasagjerët janë vendosur në aeroport, ndërsa kanë treguar se, asnjeri nuk i ka sqaruar për situatën e krijuar. Sipas pasagjerëve, e vetmja gjë që u është thënë bën fjalë për një defekt në avion dhe një ulje të detyruar në Sllovaki , ndërsa destinacioni ka qenë Bolonja. Një nga pasagjerët ka treguar se, stjuardesat u kishin thënë se, avioni kishte defekt që mund të rregullohej vetëm në Sllovaki. Por kur kanë zbritur nga avioni ata janë përballur me policinë dhe sipas tyre, ata janë grumbulluar në një sallë dhe janë mbajtur nën vëzhgim nga policia, që ka pasur me vete dhe qen. Mes pasagjerëve ka pasur dhe fëmijë.
Vdes nga ovedoza një i ri, nisin hetimet
Tiranë - Overdoza i ka marrë jetën një të riu dje. Ngjarja ka ndodhur në Tiranë dhe policia ka nisur hetimet. Burime nga uniformat blu të kryeqytetit kanë bërë të ditur se, bëhet fjalë për një 23-vjeçar, i cili që në moshë të mitur ka qenë kontingjent kriminal dhe është arrestuar disa herë për vjedhje. Rifat Arixhiu është dërguar nga të afërmit në spital, kur ishte në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Sipas të dhënave policore, ngjarja është regjistruar dy ditë më parë, kur shërbimet e komisariatit nr. 2 janë njoftuar për vdekjen e tij. Burimet shpjegojnë se ai vdiq rreth orës 13:00 në spital dhe menjëherë është dërguar për kryerjen e autopsisë. Nga ekzaminimet mjekësore ka rezultuar se ai ishte përdorues i drogave të forta prej kohësh dhe overdoza i ka shkaktuar vdekjen. Nga ana tjetër, një grup pune është dërguar në banesën e tij në rrugën “Irfan Tomini”. Atje janë gjetur edhe objekte të përdorura prej tij për të marrë dozën e drogës. Sipas të dhënave, ai ishte person me dosje penale, sidomos në fushën e vjedhjeve. Burimet policore tregojnë se disa herë, qëkur ishte 14 vjeç ishte kapur për vjedhje të ndryshme. Policia tha se po heton më tej në lidhje me këtë vdekje, ndërkohë që materialet i kanë kaluar prokurorisë.