E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, dy të vdekur në Elbasan

Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur dje si pasojë e aksidenteve në rrugët që lidhin Elbasanin me Librazhdin dhe në një nga rrugët periferike të qytetit. Aksidenti i parë është regjistruar në vendin e quajtur Pishat në afërsi të lagjes "Çamëria", rreth 5 kilometra në dalje të qytetit të Elbasanit. Dy mjete të tipit "Benz" janë përplasur me njëri-tjetrin, ku për pasojë ka gjetur vdekjen në spital Refat Dyrma. Mësohet se mjeti me targë EL 2423 B me drejtues Eduard Dyrma është përplasur me mjetin me targë TR 4844 L, me drejtues shtetasin Sulejman Debrova. Si pasojë e përplasjes mbeti i vdekur 70-vjeçari Refat Dyrma, pasagjer në mjetin me targë Elbasani, ndërsa mësohet se dy drejtuesit e mjeteve ndodhen të shtruar në spitalin kirurgjik, në gjendje të rëndë për jetën. Burime nga grupi hetimor i mbërritur në vendin e aksidentit për të zbardhur shkaqet, bëjnë të ditur se dyshohet që ka qenë një parakalim i gabuar që ka shkaktuar përplasjen, teksa ende vijojnë hetimet. Aksidenti tjetër ka ndodhur në Labinot-Fushë në rrugën nacionale Elbasan-Librazhd në afërsi të fabrikës së birrës, ku dy mjete janë përplasur me njëri-tjetrin, e për pasojë ka gjetur vdekjen një karrocier që është përplasur me një nga automjetet e përfshira në aksident. Policia njoftoi se Rexhep Kumria, 40 vjeç, që po udhëtonte me karrocën e tij në drejtim të Elbasanit ka humbur jetën, ndërsa janë plagosur Esat dhe Avni Duraku, 21 dhe 22 vjeç, si dhe Osman Qosja, 57 vjeç. Sipas policisë, shkak për aksidentin ka qenë fushëpamja e kufizuar për shkak të errësirës dhe një parakalim i gabuar i njërit prej mjeteve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›