E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllen të gjitha portat, niveli në hidrocentral kthehet në normalitet

METE ka publikuar dje të dhënat e fundit mbi hidrocentralet, ku është konfirmuar mbyllja e të gjitha portave shkarkuese, ndërsa theksohet se niveli i tyre është kthyer në normalitet. Burime nga kjo ministri thonë se “nga të dhënat deri në orën 08:00 të ditës së djeshme, niveli në liqenin e Fierzës është 289.89, duke iu rikthyer kështu plotësisht normalitetit, pasi pika maksimale e tij është 296 metra. Prurjet në këtë ujëmbledhës janë 350 metër kub për sekondë”. Ndërkohë që e njëjta situatë është edhe në liqenin e Komanit, ku niveli i tij është në kuotën e 170.679 metra. Për sa u përket prurjeve bëhet e ditur se ato janë 130 metra kub për sekondë. Ndërkohë, në liqenin e Vaut të Dejës, prurjet janë 90 metra kub për sekondë, ndërsa niveli i këtij HEC-it është 74.43 metra.
Sipas METE-s në të tre hidrocentralet nuk ka shkarkime, ndërsa vijon normalisht prodhimi i energjisë elektrike. Kushtet meteorologjike të ditëve të fundit, kanë bërë që situata në prurjet e lumit Drin të përmirësohet ndjeshëm.

Tërhiqen ujërat, vetëm 8.300 hektarë të përmbytur

Përmirësimi i motit dhe puna e specialistëve me pompa dhe mjete të tjera ka ndihmuar në tërheqjen e ujërave që përmbytën zonën e Nënshkodrës. Përmes një njoftimi për mediat, Ministria e Brendshme bën të ditur të dhënat e fundit mbi sipërfaqen e tokës që ende rezulton e përmbytur, mbi numrin e personave të evakuuar dhe shtëpive që jenë mbushur me ujë. Pavarësisht përmirësimeve të ndjeshme, këto shifra vazhdojnë të jenë të konsiderueshme. Dje sipërfaqja e tokës së përmbytur është 8.340 hektarë, nga 9.340 hektarë që ishte të shtunën dhe 11.400 hektarë që ishte dy ditë më parë. Shtëpitë e përmbytura janë 2.169 ndërsa personat e evakuuar 5.173. Ndërkohë mësohet se vijojnë ende operacionet e shpërndarjes së ndihmave ushqimore, të ushqimit për bagëtinë, si dhe për përforcimin e argjinaturave përgjatë lumenjve në zonën e Shkodrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›