Kërp apo kanabis, fermerët protestojnë para prefekturës
03/02/2010 U shty për të tretën herë seanca
SHKODER- Sorollatja dhe akuzat nga organet e drejtësisë kanë shkaktuar indinjatën e dhjetëra banorëve të fshatrave Dedaj, Bogë e Razëm, të cilët kanë protestuar dje para ndërtesës së prefekturës së qarkut të Shkodrës. Sipas tyre, kjo protestë lidhej me faktin se për të tretën herë radhazi kanë qenë të detyruar të çajnë dëborën për t’u paraqitur në gjykatë, por seanca e gjykimit shtyhet pa asnjë bazë thellësisht ligjore. Për banorët që janë të akuzuar për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa është e palogjikshme që të caktohet data, të përshkohen kilometra të tërë me borë e në fund trupi gjykues të shtyjë seancën se nga rreth 60 të akuzuar nuk janë paraqitur disa persona të akuzuar nga Prokuroria e rrethit Shkodër. Vetë të akuzuarit, gjatë reagimit të tyre kanë sqaruar se në muajin janar janë thirrur dy herë në Prokurori për të dëshmuar rreth 60 banorë të zonave malore të Malësisë së Madhe dhe më pas seancat gjyqësore dështoi. Po kështu ka ndodhur dhe dje kur ka dështuar dhe seanca e tretë për mungesë të një pjese të vogël të akuzuarish. Njëri prej të akuzuarve Luigj Gjelaj, banues në Shkrel, ka theksuar për mediat se kjo është hera e tretë që gjykata kërkon dëshminë e tyre në gjyq, por më pas e shtyn seancën. “Çuditërisht pas kaq vitesh Prokuroria sërish na akuzon se kërpi që ne kemi mbjellë është kanabis. Kjo nuk është e vërtetë, se në farën e mbjellë ia kemi blerë kryetarit të shoqatës së fermerëve të Shkrelit, Martin Pëllumbi. Ai e ka sjellë farën nga jashtë sipas një kontrate që ka pasur me një shoqatë britanike. Kjo farë ka hyrë nga dogana e kontrolluar nga Ministria e Bujqësisë, e likuiduar për të gjithë detyrimet doganore dhe kur është mbjellë ajo na dilka drogë”.