E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundja e gjyqtarit ndërpret gjyqin për Hoxhën

03/02/2010  Gjyqtari Xhelal Elezi ndihet keq në momentin kur sapo fillon seancën
Kërkohet sqarim për pyetjen e dëshmitarit Riza Shehu, i fundit që pa Remzi Hoxhën
TIRANË- Ndërprerja e gjyqit në mes është një nga rastet e rralla, por që në fakt ndodh. Në mes të procesit gjyqësor një prej gjyqtarëve, pikërisht ai që drejton seancën, kundër të pandehurve që akuzohen për zhdukjen e Remzi Hoxhës, ndihet keq. Pas shenjave të para të keqësimit, seanca ndërpritet duke i ardhur në ndihmë gjyqtarit Xhelal Elezi. Gjyqtari shfaqi shenja dobësie, në momentin kur nisi të lexojë një relacion të ardhur nga Ministria e Drejtësisë, i cili do të jepte hollësi për një prej dëshmitarëve të këtij procesi. Në sallën e gjyqit ndodheshin avokatët, prokurorët, disa familjarë të Remzi Hoxhës dhe media, e cila është e interesuar për këtë proces. Seanca u mbyll pa u dhënë sqarime të hollësishme, ndërsa u caktua një ditë tjetër. Ndërkohë që gjyqtari u shoqërua menjëherë në spital për t’i dhënë ndihmën e parë. Procesi gjyqësor kundër Arben Sefgjinit është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve. Janë disa dëshmitarë, të cilët për akuzën trajtohen si kyç, ndërkohë që marrja e tyre në pyetje është bërë e vështirë për shkak të largësisë. Prokuroria është e vendosur të marrë në pyetje dëshmitarët si Avdyl Loshaj, një prej personazheve kryesor të rrëmbimit dhe njeriu që i ka shpëtuar më së miri torturave duke u larguar nga ambientet e komisariatit. Loshaj tashmë ndodhet në Holandë dhe akuza disa herë kë bërë kërkesë për marrjen e tij në pyetje direkt. Nga ana e akuzës kërkohet që marrja në pyetje e Loshaj të bëhet duke vajtur në Holandë një trup gjykues, prokuror dhe avokat. Vetëm në këtë mënyrë ai do të japë hollësi më të mira për ngjarjen e 25 tetorit të vitit 1995, ku në rrethana misterioze u rrëmbye Remzi Hoxha.
Riza Shehu
Dëshmitari Riza Shehu është një ndër ata persona që ka takuar për herë të fundit Remti Hoxhën. Të paktën kështu e bënë të ditur akuza në njoftimin e saj para gjykatës. Por aktualisht ky dëshmitar ndodhet në Itali dhe nga ana e gjykatës e Prokurorisë është bërë e vështirë gjetja e tij. Për të pasur sa më shumë hollësi mbi ngjarjen, akuza i kërkon gjykatës marrjen e dëshmisë së Riza Shehut nëpërmjet letërporosisë. Kjo gjë bëhet e mundur vetëm nëpërmjet rrugë institucionale që në këtë rast është Ministria e Drejtësisë. Ka kohë që ministrisë i është kërkuar dërgimi i materialet.
Të akuzuarit
Të akuzuarit për rrëmbimin e Remzi Hoxhës në vitin 1995 janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Ilir Kumbaro dhe Budjon Meçe. Aktualisht Sefgjini është në detyrën e drejtorit të Shërbimit të Provës, ndërsa po gjykohet në gjendje të lirë. Avni Koldashi është i akuzuari i dytë. Edhe ky gjykohet në gjendje të lirë. Për të ardhur tek Ilir Kumbaro. Ky i fundit ndodhet në Britaninë e Madhe në pritje të ekstradimit, pasi ka humbur betejën me drejtësinë për të qenë i lirë. Dhe i akuzuari i katërt është Budjon Meçe. Meçe prej gati një viti ndodhet në ambientet e spitalit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›