Vendimi i UEFA-s për Kosovën, shtyhet për mars

Të paktën edhe disa muaj të tjerë, përfaqësuesja e Kosovës dhe klubet e saj nuk do të mund të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare.
Kjo pasi Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, në mbledhjen e vet të mbajtur në mesjavën që shkoi, nuk e ka marrë asnjë vendim rreth kërkesës së Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për ta lejuar të organizojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.
Në fakt, këtë kërkesë FFK-ja ia kishte bërë FIFA-s. Por, kjo e fundit e kishte kërkuar një rekomandim nga mbledhja e fundit e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, para se t’i përgjigjet shtëpisë së futbollit kosovar.
Mirëpo, për dallim prej vitit të kaluar - kur UEFA ia kishte dhënë FIFA-s një rekomandim negativ rreth kësaj kërkese të kosovarëve - kësaj here shtëpia e futbollit evropian duket se e ka zbutur qëndrimin karshi Kosovës. Kjo pasi evropianët nuk kanë dhënë rekomandim negativ, por megjithëkëtë kanë vendosur që opinionin e tyre t’ia japin FIFA-s gjatë muajit mars.
“Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, është njoftuar se Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka diskutuar rreth kërkesës për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore, ashtu siç e kishte udhëzuar FIFA. Mirëpo, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s nuk ka qenë i gatshëm ta nxjerrë një rekomandim për t’ia dhënë FIFA-s, që kjo e fundit më pas t’i përgjigjet FFK-së”, ka deklaruar për Express nënkryetari i shtëpisë së futbollit kosovar, Bekim Haxhiu.
Sipas tij, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s e ka kërkuar një rekomandim nga Zyra Ligjore e saj e më pas do ta sugjerojë FIFA-n se si t’i përgjigjet kërkesës së kosovarëve.
“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s e ka kërkuar një mendim nga Zyra Ligjore e saj se si duhet t’i përgjigjet kërkesës së FFK-së. Më 20 dhe 21 mars do të mbahet mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, i cili deri atëherë do ta marrë rekomandimin e kërkuar nga Zyra Ligjore e saj. Atë rekomandim, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do t’ia japë FIFA-s, e cila më pas përfundimisht do t’i përgjigjet FFK-së”, sqaroi Haxhiu.
Ai është optimist se në muajin mars UEFA do t’i sugjerojë FIFA-s që shtëpia e futbollit kosovar të lejohet të organizojë ndeshje miqësore ndërkombëtare për përfaqësuesen e klubet e saj.
“Për këtë unë jam shumë optimist. Duke i njohur edhe zhvillimet politike, mendoj se marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar për përfaqësim rajonal të Kosovës, do t’i hapet rruga edhe futbollit kosovar dhe sportit tonë në përgjithësi”, theksoi Haxhiu
Ai është shumë i bindur se brenda këtij viti FFK-ja do të jetë pjesë e arenës ndërkombëtare, duke i parapri kësaj me marrjen e lejes për të zhvilluar ndeshje miqësore ndërkombëtare.
Haxhiu, i cili është edhe deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjithashtu beson se deri në fund të shtatorit Kosova do të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara (OKB), kusht ky për ndërkombëtarizmin e disa federatave.