E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk ndezim dot zjarrfikëset, janë të prishura”

15/12/2008  Flet kreu i zjarrfikëseve të Fierit

FIER- Shërbimi zjarrfikës dhe mbrojtjes ndaj zjarrit në qarkun e Fierit është tejet në vështirësi për sa i përket kushteve të punës. Mungojnë mjetet zjarrfikëse dhe ambientet e përshtatshme. Prej vitesh mungojnë investimet e Qeverisë shqiptare për t’i dhënë këtij shërbimi atë që meriton dhe kjo duke marrë parasysh rrezikun që i kërcënon ata dhe vështirësitë për çdo rast të rënies së zjarreve. Drejtuesi i shërbimit zjarrfikës për qarkun Fier, Xhevat Mërnica, ka pohuar se kushtet tejet të vështira që paraqesin si ambientet ku kryejnë punën punonjësit, por edhe për pjesën e mjeteve zjarrfikëse, të përshtatshëm për ndërhyrje dhe mjetet e shpëtimit. “Nga 9 mjete motorike që ka ky shërbim, 5 prej tyre janë të amortizuara dhe vetëm 4 prej tyre mezi mbahen në këmbë. Edhe këto i përkasin viteve 1960-1970. Të gjitha këto makina janë të viteve ‘60, ruse dhe kineze. Më shumë po harxhojmë pjesë këmbimi, sesa dalim në punë. Ia kam kërkuar Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrit për shtesë organike në stacionin e Patosit, Ballshit dhe Lushnjës. Mund të kemi edhe borxhe nëpër servise. Kur është problemi i rënies së zjarrit, zjarrfikësi është i pari, prandaj shteti të vërë dorë tek zjarrfikësit e Fierit”,- tha Mërnica. Punonjësit e këtij shërbimi janë kurdoherë në rrezik, por që nuk u përgjigjet kundrejt shpërblimit monetar të dhënë nga Qeveria shqiptare. “Paga jonë e zjarrfikësit më të vjetër është 320 mijë lek të vjetra në dorë. As shtesë orësh nuk marrim, sidomos gjatë verës që ne e gdhijmë. Ndaj shteti të marrë masa për shtesë rroge ndaj nesh, sepse nuk u përgjigjemi dot familjes me këto paga”,- thotë Mërnica.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›