Nuk paguan kreditë, sekuestrohen makineritë e fermerëve

Sekuestrohen pajisjet dhe linjat e prodhimit në subjektet që nuk kanë shlyer detyrimet ndaj ministrisë së bujqësisë. Fermerët që kanë rënë pre e sekuestrimeve kanë përfituar nga fondi, donacione të qeverisë japoneze nëpërmjet projektit 2KR por nuk kanë përmbushur detyrimet për shlyerjen financiare të tyre. Dorian Hila, inspektor Sektori i Menaxhimit të Borxhit në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural shprehet se sekuestrimi po realizohet për shkak të mos përmbushjes së detyrimeve që bizneset kanë në kontratën e lidhur.
Që prej mbylljes së Projektit 2KR, projektet dhe zbatimi i tyre ndiqen nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural. Pas negociatave dhe zbatimit të kushteve kontraktuale, një ndër detyrat që i është përcaktuar Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural është dhe administrimi e vjelja e borxheve që subjektet apo fermerët kanë pa shlyer në kuadër të projektit.