E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk pajtohem me simbiozën e krimit, prokuroria përmbysi hetimet për Gërdecin”

Kryeministri Sali Berisha komenton marrëdhëniet Ekzekutiv - Prokurori

TIRANE - Duke iu referuar zhvillimeve të fundit të qeverisë me institucionet e pavarura në mënyrë të veçantë me Prokurorinë e Përgjithshme, kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në emisionin “Opinion” se ekzekutivi nuk mund të pajtohet me botën e krimit, ku sipas kryeministrit rezultuan të implikuar paraardhësit Arben Rakipi dhe Theodhori Sollaku.
“Nuk është e vërtetë se unë kam pasur qëllime vetëm ndaj Sollakut, por kam pasur edhe ndaj paraardhësit të tij, Rakipit dhe do të vazhdoj të kem ndaj çdo lloj prokurori që është i lidhur me krimin. Në tërësi institucioni i akuzës nuk i shpëton akuzave për ndërhyrje politike. Kjo nuk e ka përmbysur funksionimin e shtetit ligjor në vendet e lira. Sa qe Rakipi mendova se ky njeri është i lidhur politikisht dhe vendosëm Sollakun për të goditur klanet e krimit. Kur u arrestuar Aldo Bare, Nehat Kulla, Lul Berisha? Pra, pse unë nuk pajtohesha me Sollakun. Ai ka qenë një bashkëpunëtor i imi personal, si këshilltar dhe nuk kam patur problemin më të vogël me të. Por ç’është e vërteta të gjithë e dimë se si punoi ai. Prandaj, nuk pajtohem kurrë më simbiozën e krimit”, u shpreh Berisha.
Kreu i ekzekutivit solli në vëmendje raste që faktojnë fiktivitet të Prokurorisë së Përgjithshme në drejtim të funksionimit dhe kryerjes së detyrës.
“Kanë ndodhur disa ngjarje, për të cilat organi i akuzës nuk ka treguar qëndrimin ligjor.
 Si mund të pajtohem me një që gëzon mandatin e deputetit dhe shtrin për tokë një gazetar në qendër të hotel ‘Sheraton’ se po e investigonte. Del kryeparlamentarja e dënon, ministri e dënon, ndërsa Prokuroria nuk bën asgjë. Pse nuk kërkon prokuroria heqjen e imunitetit për Tom Doshin, për dhunën që ushtroi ndaj gazetarit? Hajrulla Paturri ushtroi dhunë ndaj arbitrit dhe prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit, e bëmë.
Si mund të pajtohem me një që nuk deklaron qindra milionë lekë, me një që pastron paratë dhe prokuroria nuk vepron”, shtoi më tej Kryeministri.
Kryeministri Sali Berisha tha se duke iu referuar ngjarjes së rëndë të Gërdecit vitin e kaluar, se qeveria ka insistuar vazhdimisht për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, por prokuroria po tregohet e paaftë ndë drejtim të hetimeve.
“Ministri ka dhënë dorëheqjen në shenjë politike dhe morale për atë që ndodhi.
Të gjithë ata që e kanë lakuar me qindra herë nuk kanë dhënë faktin më të vogël.
Prokuroria s’ka qenë e aftë që të nxjerrë një fakt. Përgjegjësira ka, por mënyra se si e nisi hetimin prokuroria dhe tezat që parashtroi për hetim, janë të paprecendenta”, tha Berisha.
Sipas kryeministrit janë 35 dokumente që kanë së paku se cila nga 4 firma ushtarake, do të thotë se nuk ke asnjë mundësi tjetër vetëm se të përmbysësh hetimin.
“Përgjegjës ka, nuk e mohoj, por mënyra se si bëhet hetimi është i destinuar të dështojë. S’mund të them se janë përgjegjës vetëm ata që janë të arrestuar, por kjo është punë dhe detyrë e organit të akuzës”, u shpreh kryeministri.
“Nuk pajtohem me krimin. Shqiptarët si në Kosovë dhe në Shqipëri kanë dy armiq që duhet ti luftojnë, korrupsionin dhe krimin. Unë nuk mund të bëj paqe me krimin, me simbiozën e krimit”, nënvizoi Berisha.

“Rruga Durrës-Morinë, përfundon
dy javë para zgjedhjeve kuvendore”

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha, deklaroi mbrëmë në “Opinion”, se rruga Durrës-Kukës-Morinë, përfundon të ditët e para të qershorit.
Shefi i ekzekutivit e vlerësoi ndërtimin e kësaj vepre madhore, duke e cilësuar si në interes të kombit shqiptar.
“Kur po vija këtu, një diplomat i huaj më pyeti se çfarë do të bëni ju dy kryeministrat. Përgjigjja ime ishte: Dy forca më shumë në interes të kombit shqiptar në çdo aspekt. Prandaj dua të theksoj, se rruga është drejt përfundimit, financimi i Bankës Botërore përfundon plotësisht dy javë para zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen në vendin tonë.  Nuk e nisa për qëllime elektorale, por kjo korrespondon dy javë para zgjedhjeve”, u shpreh Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›