“Vlerën e vërtetë të rritjes ekonomike e nxjerr Instituti Kombëtar i Statistikave”
TIRANE - Kreu i ekzekutivit vuri në dukje se rritja ekonomike ka qenë një diskutim i vazhdueshëm midis Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe qeverisë shqiptare.
Sipas kryeministrit rritja ekonomike 6 për qind është një rritje e shkëlqyer, por shifra e vërtetë e rritjes ekonomike është shumë e rëndësishme për një qeveri, sepse mbi bazën e saj qeveria nxjerr disa tregues, mbi performancën e saj, në të cilën rritja është e rëndësishme për zgjedhjen e treguesve.
“Praktikë universal botërore është përcaktimi i rritjes ekonomike në 3 muaj dhe më pas, rritja vjetore. Ka qenë bindja ime absolute se ka një nënvlerësim të rritjes ekonomike në Shqipëri. Unë kam shumë fakte për të numëruar për sa i përket këtij nënvlerësimi.
Ndaj, duke mirëkuptuar plotësisht parashikimin, mendoj se është në detyrimin e të gjithë faktorëve kombëtarë e ndërkombëtarë, që këtë t’ia atribuojmë Institutit Kombëtar të Statistikave. Kjo sepse është e vërtetë që ka një formalizim të ekonomisë, por është e vërtetë që ka një rritje të bizneseve të reja, me rreth 4 mijë biznese për vitin 2008. Është e vërtetë që ka një formalizim të ekonomisë, por ka rritje të ndjeshme të eksporteve. Është e vërtetë që viti 2008 ndryshon qartësisht nga viti 2007, por ka dy të vërteta të tjera; e para, unë nuk kam qenë dakord as për rritjen ekonomike të vitit 2007 dhe e dyta, viti 2008 ka qenë viti në të cilin nuk ka munguar energjia elektrike në ndërmarrjet shqiptare.
Unë pres që Instituti i Statistikave të japë rritjen vjetore ekonomike”, tha Kryeministri.
“Rritja ekonomike e Shqipërisë në shifrat 10 për qind, 3-mujorin e tretë të vitit 2008”
Në përfundim të ceremonisë së nënshkrimit të Letrës së Mirëkuptimit për miratimin e rishikimit të 6 dhe të fundit të marrëveshjes 3-vjeçare me FMN-në, kryeministri Berisha dhe Përfaqësuesja e FMN-së në Shqipëri, Ann Margaret Westin, iu përgjigjën interesimit të mediave për rritjen ekonomike në Shqipëri.
Përfaqësuesja e FMN-së theksoi duke iu referuar treguesve të fundit të parashikimeve tre mujore të GDP-së, se të dhënat tregojnë një ekonomike, deri në fund të tremujorit të tretë, prej rreth 10 për qind.
“Prodhimi i Brendshëm Bruto i tremujorit, pra treguesit tremujor të PBB-së, mbështeten në disa indikatorë dhe këta indikatorë janë më të ngushtë sesa ata me të cilët matet rritja vjetore e PBB-së. Ka një tendencë që treguesit tremujor të jenë më të luhatshëm”, tha ajo.
Megjithatë, përfaqësuesja e FMN-së shtoi se “për rritjen vjetore të PBB-së për vitin 2008, mbajmë parashikimin tonë për 6 për qind”.
“Krahas arsyeve të përmendura të mbivlerësimit të rritjes në statistikat tremujore, arsyeja përse ne mbajmë parashikimin për një rritje prej 6 për qind vjetore në vitin 2008, është sepse, që në tremujorin e tretë janë parë disa shenja ngadalësimi dhe e dimë të gjithë që kriza botërore ekonomike ka pasur ndikime më të mëdha në tremujorin e fundit të vitit 2008. Kjo duhet të merret parasysh. Sa për t’ju rikujtuar, në nëntor të këtij viti, për shkak të krizës botërore, FMN reduktoi parashikimet për rritjen ekonomike për këtë viti dhe vitin tjetër, për të gjitha vendet e botës”, nënvizoi ajo.