Vëzhgimi/Ja si Zamir Shtylla ishte i betonuar në formimin e tij industrialo - sigurimso - juridik
Duke udhëtuar në labirintet e mashtrimeve të njeriut të besuar të kryeprokurorit
Të mos thuash të vërtetën sot është akoma më e hidhur sesa ta kesh thënë dje, në diktuarën komuniste. Jo më shumë se disa ditë më parë, në fundin e vitit që shkoi, ish-hetuesi Zamir T. Shtylla, deklaroi ndër të tjera se gjatë diktaturës jo vetëm kishte “zbatuar ligjin”, por na kishte qenë edhe disi i “persekutuar”. Shaka më të madhe se kjo padyshim që nuk mund të kishte. Të mos thuash të vërtetën padyshim që në gjuhën popullore quhesh gënjeshtar.
Por kureshtja i shtyn njerëzit të mësojnë se ku paska qenë i “persekutuar” hetuesi me profil Sigurimi. Për të qetësuar simpatizantët e majtë të ish-hetuesit Shtylla, të cilët formalisht duhet të jenë alarmuar që paskan pasur në gjirin e tyre një “armik klase”, por themi ca të vërteta për publikun se cili është personi me emrin Zamir T. Shtylla, sipas asaj që ai vetë ka shkruar. Kjo autobiografi e tij daton më 4 mars 1974 dhe është hartuar në Krujë.
Ja disa pjesë të saj: “Qëndrimi politik i familjes time gjatë regjimit të Zogut ka qenë i mirë. Familja ime gjatë këtij regjimi ka vuajtur shumë nga shtypja dhe shfrytëzimi, prandaj e kanë urryer me kohë regjimin shtypës dhe shfrytëzues të Zogut. Nga familja dhe të afërmit e mi, nuk ka pasur njeri që ka pasur funksione të këtij regjimi... Familja ime ka ndihmuar dhe ka qenë një bazë e shëndoshë për lëvizjen dhe luftën nacionalçlirimtare. Nga pjesëtarët e familjes së babait tonë, kanë qenë disa persona në frontet e luftës nacionalçlirimtare, ku kanë pasur përgjegjësi të ndryshme si p. sh. Medar Shtylla e Behar Shtylla. Në luftë ka marrë pjesë me armë në dorë babai im Telat Shtylla dhe xhaxhai Asllan Shtylla në batalionin ‘Hakmarrje’. Babai im në tetor 1944 është transferuar për të kontribuar në zonat e çliruara si Vithkuqi. Gjatë kësaj kohe ka punuar me të gjithë mundësitë e tij, si sekretar rinie dhe më vonë sekretar i organizatës bazë të partisë dhe kryetar pushteti. Në vitin 1943 është bërë anëtar partie. Shtëpia jonë ka qenë bazë e shëndoshë ku janë strehuar edhe disa shokë të partisë e të shtetit si shoku Rita Marko, Pilo Peristeri, Medar Shtylla, etj. Nga familja e nënës time nuk ka qenë njeri jashtë shtetit dhe që të kenë zhvilluar veprimtari armiqësore, përkundrazi gjatës luftës nacionalçlirimtare kanë ndihmuar me të gjitha mundësitë e tyre luftën. Nga familja dhe të afërmit e mi, nuk kam njeri të ketë qenë në organizatat tradhtare. Njëkohësisht asnjë nga njerëzit e mi nuk ndodhet i arrestuar jashtë shtetit. Pas çlirimit të vendit, qëndrimi politik i familjes time ka qenë i mirë, ka përkrahur të gjitha reformat e marra nga pushteti ynë popullor dhe kanë qenë të parët që janë futur në kooperativën bujqësore. Babai ka punuar sekretar partie, kryetar këshilli, përgjegjës sektori, ku vazhdon të punojë edhe sot. Kam 5 xhaxhallarë, dy prej të cilëve janë anëtarë partie (Napolon Shtylla - drejtor në UMB dhe Nevruz Shtylla në institutin zooteknik, Tiranë). Vëllai im Agim Shtylla është anëtar partie, punon në NBSH Mamurras, përgjegjës transporti i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Kam 3 motra të martuara me oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes me biografi shumë të mirë”.
Pastaj kjo letër vijon me kohën kur ai ka qenë tornitor në Laç, kur ka mbaruar të mesmen natën, etj.
Në një shtesë biografike të 8 tetorit 1980 për shkak të ndryshimit të gjendjes civile, Zamir T. Shtylla, shkruan: “Jam fejuar me Luljeta Ismailin, e bija e Aliut dhe Qamiles, e datëlindjes 1959, lindur në Bilisht dhe banuese në lagjen “30-vjetori” Berat. ...Luljeta rrjedh nga një familje shtresë e varfër fshatare. Qëndrimi politik i prindërve të saj dhe faresifit ka qenë i mirë si gjatë regjimit të Zogut, okupacionit, luftës nacionalçlirimtare dhe mbas çlirimit të vendit. Babai dhe nëna gjatë luftës nuk kanë pasur ndonjë aktivitet pasi kanë qenë të mitur. Mbas çlirimit kanë mbajtur dhe mbajnë qëndrim të mirë moralo - politik. Babai i saj është anëtar partie nga viti 1949 dhe punonjës i organeve dhe reparteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai është oficer i degës së Punëve të Brendshme Berat” (vazhdohet me pjesët e tjera biografike).
Martesa e tij është miratuar nga kryetari i degës së Punëve të Brendshme, Pëllumb Kapo.
Nuk e dimë a ka dyshim njeri se në formimin e prokurorit të sotëm Shtylla, shtysa nuk janë bindjet e tij komuniste?
A mundet që një person që ka pasur dhjetëra procese politike kundër personave me bindje të djathta, të ketë qëndrim tjetër në kohën e sotme?
Vështirë të besohet që me këtë betonim majtist, formim profesional industrialo - sigurimso - juridik të kemi një prokuror “të pavarur” që “zbaton vetëm ligjin”.
Për këta ligji është vetëm Maliqi.
Shënim: Pjesët autobiografisë së Zamir Shtyllës, botohen të korrektuar, pasi në të, autori i saj nuk kishte pasur parasysh rregullat drejtshkrimore të vendosura në Kongresin e vitit 1972.