E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi, Policia Rrugore nuk ka të drejtë të heqë patenta



Anilejda Shëmbitraku

Ministria e Brendshme ka nxjerrë një udhëzim “Për mënyrën e evidentimit dhe të shqyrtimit të kundërvajtjeve administrative plotësuese dhe administrimi i gjobave në fushën e qarkullimit rrugor”. “Në të gjitha rastet e tjera, sipas nenit 201 të Kodit Rrugor, agjenti verifikues plotëson procesverbalin e konstatimit, por në rubrikën ku shënohet vlera e gjobës në lekë, nuk e plotëson atë (gjobën), pasi shqyrtimi i kundërvajtjes që parashikon masë administrative me gjobë bëhet nga organi administrativ shtetëror. Në procesverbal shënohet afati kohor dhe vendi i paraqitjes së kundërvajtësit”, - theksohet në udhëzimin që u heq kompetencën e heqjes së patentave policëve rrugorë. Përveç detajeve të tjera të rëndësishme, në këtë udhëzim përcaktohet shumë qartë se policët rrugorë nuk kanë të drejtë të vendosin gjoba mbi 5 mijë lekë. “Për kundërvajtjet e parashikuara nga nenet përkatëse të Kodit Rrugor, me vlerë 250 (dyqind e pesëdhjetë) lekë deri në 5 mijë lekë, agjenti verifikues merr masën e vendosjes së gjobës në vend. Në këto raste, agjenti verifikues i dorëzon kundërvajtësit një kopje të procesverbalit të konstatimit të shkeljes me masën e gjobës dhe e adreson atë për të kryer pagesën në arkat e operatorëve financiarë të kontraktuara, brenda afatit 5-ditor”, - thuhet në udhëzim.

Procesverbali
Sipas udhëzimit, procesverbali i konstatimit të shkeljes plotësohet në 4 kopje, dy prej të cilave, agjenti verifikues, brenda ditës, i dorëzon në zyrat përkatëse dhe konkretisht: kopja e parë (origjinali) dorëzohet në zyrën e financës së institucionit, kopja e dytë i dorëzohet kundërvajtësit, kopja e tretë dorëzohet në seksionin e verifikimit, edukimit e statistikës (struktura operacionale e Policisë Rrugore) për analizë dhe shqyrtim të mëtejshëm, ndërsa kopja e katërt mbetet në bllok. Për rastet e konstatimit të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor nga shërbimet e tjera të Policisë së Shtetit, që nuk kanë atributet e agjentit verifikues, njoftohet shërbimi i Policisë Rrugore për kryerjen e procedurave ligjore.

Masa
Për kundërvajtjet që dënohen me masa plotësuese, si: tërheqja e dokumenteve të qarkullimit të automjetit, të leje-drejtimit, të targës, të pezullimit të leje-qarkullimit e leje-drejtimit apo heqjes së leje-drejtimit, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data që vendimi ka marrë formë të prerë, njoftohet zyrtarisht Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor ku banon kundërvajtësi, ndërsa vendimet përkatëse dërgohen pas përfundimit të ekzekutimit të tyre. E njëjta procedurë ndiqet për lejet e
transportit, licencat etj., me organet që i kanë lëshuar ato.

Organi administrativ merr të gjitha masat maksimale

Institucioni i krijuar për qarkullimin rrugor vendos gjoba deri më 200 mijë lekë dhe ka të drejtën e heqjes së patentës

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Brendshme, sanksionet administrative që jep organi administrativ shtetëror janë: gjobë me vlerë deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë (ose sipas indeksimeve të bëra nga Ministria e Financave në vlerë minimale dhe maksimale sipas pikës 3 të nenit 193 të Kodit Rrugor). Masa administrative plotësuese, të cilat ndahen në: pezullim i leje-qarkullimit në kufijtë kohorë të përcaktuar nga nenet përkatëse të legjislacionit rrugor; pezullim i leje-drejtimit në kufijtë kohorë të përcaktuar nga nenet përkatëse të legjislacionit rrugor; heqje e leje-drejtimit. Ndaj vendimeve të organit administrativ shtetëror, kur nuk është bërë ankim në gjykatë sipas nenit 202 të Kodit Rrugor, mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve nga shpallja e vendimit në organin administrativ më të lartë për shqyrtimin e ankimeve në Drejtorinë e Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Organi administrativ më i lartë, kur konstaton shkelje të procedurave ose mospërputhje me aktet ligjore dhe nënligjore, shprehet përfundimisht me vendim dhe propozon masat për përmirësimin e gjendjes dhe ato disiplinore për personat përgjegjës, sipas procedurave përkatëse disiplinore.

Anulimi i gjobave dhe masave

Është një procedurë që bëhet vetëm nga organi administrativ që i ka marrë këto masa

Sipas udhëzimit, heqja e masës administrative plotësuese në lidhje me automjetin (sekuestrimi, ndalimi administrativ, largimi dhe bllokimi) bëhet nga organi që e ka vendosur atë dhe konkretisht; nga agjenti verifikues nëpërmjet verbalizimit zyrtar, në rastet kur paraqitja e dokumentacionit të munguar dhe faturave të kryerjes së të gjitha pagesave bëhet brenda afatit të përcaktuar në procesverbalin e konstatimit të shkeljes, por gjithsesi brenda afatit kohor prej 5 ditësh nga hartimi i procesverbalit të konstatimit të shkeljes, të hartuar sipas kompetencave të nenit 200 të Kodit Rrugor dhe konfirmimit të mosparaqitjes së ankimit te organi administrativ shtetëror për trajtimin e masës administrative plotësuese. Nga organi administrativ shtetëror, nëpërmjet verbalizimit zyrtar, sipas modelit nr. 12, kur vendimi është vlerësuar i pabazuar nga shqyrtimi i ankesës së paraqitur nga kundërvajtësi apo nga shqyrtimi, sipas nenit 201 të Kodit Rrugor, të procesverbalit të konstatimit të shkeljes. Për evidentimin e mjeteve në ruajtje, në njësinë rajonale të Policisë Rrugore dhe në pikën e ruajtjes mbahet një regjistër i veçantë. Pjesa tjetër e dokumentacionit administrohet në fashikuj të veçantë për çdo mjet pranë njësisë rajonale të
Policisë Rrugore që ka kryer kalimin e mjetit në pikën e ruajtjes.

22 Dhjetor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›