Frika nga recesioni i thellë në Europë
“Kontinenti i Europës është nisur drejt një recesioni më të thellë se Shtetet e Bashkuara për shkak të mungesës që ka në fleksibilitet për të reaguar në raport me përkeqësimin e situatës ekonomike”,- thonë disa ndërmarrës dhe strategë të njohur. Njerëzit e biznesit evropian janë të shqetësuar se edhe pse kriza financiare, origjinën e ka në Shtetet e Bashkuara, Europa do të jetë ajo që do të vuajë më shumë pasojat. Janë të shumtë ata që i janë bashkuar investitorëve në thirrjet për Bankën Qendrore Europiane për të hequr dorë nga angazhimet e saj vetëm në inflacion dhe për t'u përqendruar më shumë në përpjekjet për të shmangur recesionin. Carmen Riu, një nga udhëheqësit e grupit kryesor turistik në Spanjë, "Riu Hotels & Resorts" thotë: "Fundi i krizës do të jetë më i lehtë në Shtetet e Bashkuara se sa në Evropë. Në SHBA janë më energjikë në këtë drejtim, ndërkaq Evropa përfundimisht është më e ngrirë". Ndërmarrësit dhe strategët janë të shqetësuar se Evropa nuk i ka shfrytëzuar kohet e mira në vitet e kaluara për të çuar përpara reformat, aq të nevojshme në fushat sikur është fleksibiliteti në fuqinë punëtore. Kompani të tëra përgjatë Europës, janë duke u përpjekur ta ringjallin vetveten duke shuar vende pune, prodhim dhe rekrutim. Kjo ndodh në kohën kur zhvillimi në Europë ka rënë, me gjithë stabilitetin që është shënuar në çerekun e parë, gjë që ka nxitur analistët të mendojnë se disa ekonomi evropiane tashmë janë në prag të recesionit. Një strateg i lartë pranon se fokusi i Bankës Qendrore Europiane mbi inflacionin, e zbeh çdo prospekt për rritjen ekonomike të kontinentit. "Banka Qendrore Europiane duhet të fokusohet në inflacion për një gamë të gjerë arsyesh politike dhe historike. Kjo nënkupton - me gjithë faktin se tingëllon ironike - se ekonomia amerikane do të shpëtojë më lehtë se ne, nga e gjithë kjo krizë. Fleksibiliteti i madh në SHBA në krahasim me Europën e bën një gjë të tillë dhe më të mundshme", - thotë ai. Shumë kompani europiane kanë arkëtuar zhvillimin e tyre, nga tregjet në lindje, si Rusia dhe Kina, duke bërë përpjekje të kompensojnë dobësitë e tyre në Europë. "Mendoj se kohët janë të vështira, pavarësisht nga fakti se sa ndërkombëtar mund të jesh. Askush në fakt nuk e di se çfarë do të ndodhë. Por, nëse do të vësh bast, mendoj se nuk duhet të zgjedhësh Europën përballë Shteteve të Bashkuara", -thotë një udhëheqës i një kompanie të madhe gjermane.
Përkthyer nga “Financial Times”
7 Tetor 2008