E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk plotësonin kushtet, mbyllet azili “Besa” në Shkodër

Autori i Lajmit: red.
Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) kërkon mbylljen e veprimtarisë së Shoqatës “Besa” në Vaun e Dejës (Shkodër). Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. SHSSH, institucion publik në varësi të kësaj ministrie, në bazë të informacionit të marrë nga Zyra Rajonale e Shërbimeve Sociale në Shkodër, inspektoi dy herë aktivitetin e shoqatës “Besa 03”. Nga inspektimi u arrit në përfundimin se edhe pse Shoqata “Besa 03” ishte e regjistruar në Gjykatën e Tiranës, në objektin e saj nuk ishte parashikuar ofrimi i shërbimeve sociale dhe ajo nuk dispononte asnjë autorizim nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për ofrimin e shërbimit. Edhe pse Shoqata kishte filluar aktivitetin e saj si ofruese shërbimesh të përkujdesit shoqëror në vitin 2005, nuk kishte paraqitur asnjë kërkesë për licencim pranë SHSSH-së. Por, sipas Ministrisë së Punës më shqetësues ishte cilësia e shërbimit nga qendra për klientët e vet. Po ashtu, drejtuesit e Qendrës nuk deklaronin burimet financiare për vazhdimësinë e aktivitetit të qendrës etj. Pas inspektimeve, me urdhër të Ministrit të Punës u vendos ndërprerja e veprimtarisë së Qendrës Rezidenciale “Besa” në Vaun e Dejës, Shkodër. Ndërkohë, Drejtorja e Përgjithshme e SHSSH, Vilma Premti, bën të ditur se është kompetencë e strukturave vendore të Prefekturës, Bashkisë, organeve të policisë, të shëndetësisë, mbyllja e aktivitetit të Qendrës dhe akomodimi i personave në institucionet e përkujdesit social në Qarkun e Shkodrës.
Ky lajm është publikuar: 30/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›