Fakti/Grevës po i fiket kandili
Vazhdon “greva e urisë” e ylberistëve bashkë me Edi Ramën në rolin e tellallit që ulëret nga jashtë çadrave, por as mediat e as faktori ndërkombëtar s’kanë më kohë të ndjekin ecurinë e një çmendurie politike
Ka hyrë në ditën e tretë sabotimi ushqimor i deputetëve të Partisë Socialiste, sipas këshillës tekanjoze të kryetarit frikacak.
Nisur nga urdhri i prerë i Byrosë Politike të nomenklaturës së bllokmenëve të rinj, Edvini, ashtu sikurse edhe Enveri në historinë e tij të diktaturës, në ballë të kundërshtarit, nxirrte vasalët e vet, duke u faturuar atyre eliminimin e përjetshëm, ndërsa konfirmohej mbijetesa e liderit.
Futja e 22 deputetëve të selisë ylberiste dhe 200 simpatizantëve në grevë urie, ndërkohë që nga ana tjetër, kapërdija e lakuriqit të PS-së, në kurriz të socialistëve të vërtetë dhe përdorimi i tyre si paçavure politike, tregon qartë keqpërdorimin e partisë opozitare dhe simpatizantëve të saj, duke i vënë në shërbim të një klike të plagosur dhe fatale për vetë opozitën dhe njëherazi edhe për të ardhmen e vendit.
Edi Rama nuk pranoi të bëhej pjesë e grevës së urisë dhe për të shpëtuar nga kjo, zgjodhi 22 kurbanë nga radhët e veta dhe 200 simpatizantë të marrë me forcë nga veprimet mafioze të Baftjar Zeqos në Fier dhe Shpëtim Gjikës në Vlorë. Jo pa shkas, një pjesë e mirë e grevistëve janë banorë të rrethinave të Fierit dhe Vlorës, të cilët kanë pranuar të bien pre e fushatës dhunuese të Ramës dhe Ruçit.