E Diel, 1 Nëntor 2026

“Opozita të respektojë ligjet dhe vendimet e gjykatave”

Reagojnë sërish popullorët evropianë: E papranueshme hapja e kutive

Në kuadër të reagimeve të përfaqësuesve të politikës ndërkombëtare, për situatën politike në Shqipëri dhe mbi mundësitë e kapërcimit të këtij ngërçi absurd, ministrat e Jashtëm të partive anëtare të Partive Popullore, të mbledhur në Romë kanë kërkuar që Partia Socialiste të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe t’i japë fund bojkotit.
Në një takim të iniciuar në Romë nga ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini dhe europarlamentari Elmar Brok, është deklaruar në unanimitetet të plotë se zgjedhjet janë certifikuar nga institucionet vendase dhe ndërkombëtare dhe janë vlerësuar si të lira dhe të rregullta.
Ata e konsiderojnë si të papranueshme kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Shprehimisht në deklaratën finale, ata i kërkojnë Partisë Socialiste të Shqipërisë të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të konfirmuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kolegji Elektoral, Gjykata e Apelit dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare vëzhguese të tyre.
Gjithashtu në deklaratë theksohet se kërkesa për hapjen e kutive pengon integrimin e vendit.
“E konsiderojnë të papranueshëm qëndrimin e partisë opozitare për të ri-hapur kutitë e votimit, që pengon zbatimin e reformave demokratike dhe ekonomike të nevojshme dhe urgjente për vendin”, thuhet në deklaratën e PPE-së.
Nga ana tjetër PPE i kërkon PS-së që të respektojë ligjin.
“I kërkojmë opozitës të respektojë plotësisht Kushtetutën dhe Ligjin, duke përfshirë vendimet e Gjykatës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në deklaratën e PPE-së.
Edhe pas këtij reagimi të një unioni të fuqishëm partiak, Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste vazhdon të kërcënojë se nuk ka ndërmend të bëhet njeri i kompromisit dhe zgjidhjes, por për më tepër është i interesuar për destabilizimin politik të vendit dhe kthimin e Shqipërisë në disraport me proceset e integrimit evropian.
Partia Popullore Evropiane është partia më e madhe në nivelin politik evropian. Aktualisht ajo drejton institucionet më të rëndësishme të Unionit, si Bashkimin Evropian, Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian etj. Partitë anëtare të PPE-së, drejtojnë vendet anëtare të Bashkimit Evropian si Francë, Gjermaninë, Italinë etj.
Në takimin e zhvilluar në Romë, morën pjesë 12 ministra të Jashtëm të partive që janë pjesë e PPE-së.
Ata diskutuan politikën Evropiane në Ballkanin Perëndimor, Partneritetit Lindor, mbrojtjen e energjisë dhe Kaukazin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›