Bota mirëpret ratifikimin e START-it

Udhëheqësit botërorë kanë mirëpritur ratifikimin nga senati amerikan të traktatit për kontrollin e armatimit bërthamor mes SHBA-së dhe Rusisë.
Pas disa muajsh të debateve të nxehta dhe negociatave prapa dyerve të mbyllura, të mërkurën, Senati ratifikoi traktatin e ri me Rusinë, START, duke i dhënë kështu një fitore të madhe në politikën e jashtme presidentit Barack Obama dhe një shtytje domethënëse marrëdhënieve SHBA-Rusi.
Senatorët votuan 71 me 26 në favor të marrëveshjes, e cila kërkon nga SHBA-ja dhe Rusia që të reduktojnë stoqet e tyre të kokave bërthamore në 1550 - një reduktim i pothuaj një të tretës së arsenalit të tyre - brenda shtatë vjetësh. Traktati po ashtu vë kufizime të reja mbi sistemet e raketave balistike dhe shoqërohet me një regjim verifikimi.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, vlerësoi se ratifikimi i paktit nga ana e SHBA-së është “kontribut i rëndësishëm për sigurinë euro-atlantike”, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon tha se votimi përçon një “porosi të qartë” në mbështetje të çarmatimit dhe mospërhapjes së armëve bërthamore.
Japonia, vendi i vetëm në botë, i cili u godit nga bomba bërthamore në fund të Luftës së Dytë Botërore, tha se lëvizja “shënon përparim” në përpjekjet e çarmatimit të Ëashingtonit dhe Moskës.
Presidenti Barack Obama tha në një konferencë për gazetarë se është i kënaqur që Senati e kaloi atë që e quajti “prioritetin tim kryesor të sigurisë për këtë sesion të Kongresit”.
“Kjo është marrëveshja më domethënëse e kontrollit të armëve në pothuaj dy dekadat e fundit dhe do të na bëjë më të sigurt dhe do të reduktojë arsenalin tonë bërthamor, së bashku me Rusinë. Me këtë traktat, inspektorët tanë do të kthehen në bazat bërthamore ruse. Pra, ne do të mund jo vetëm të besojmë, por edhe të verifikojmë”, tha Obama pas votimit.
Demokrati John Kerry, kryesues i Komitetit për Relacione me Jashtë i Senatit dhe një nga ithtarët më të zëshëm të traktatit, u tha ligjvënësve pak para votimit se vendimi i tyre do të ketë implikime globale.
“Pavarësisht se çfarë qëndrimi kemi ndaj traktatit START, kjo është nga ato momentet e rralla në senatin amerikan - hera e vetme gjatë shërbimit tonë këtu - kur është në fuqinë tonë që të sigurojmë ose rrezikojmë jetën e njeriut në këtë planet”, theksoi Kerry.
Obama dhe presidenti rus Dimitrij Medvedev nënshkruan në muajin prill në Pragë marrëveshjen, e cila zëvendëson atë të vitit 1991, e cila skadoi në dhjetor të vitit 2009.
Inspektorët bërthamorë amerikanë dhe ata rusë nuk kanë vizituar reaktorët e njëri-tjetrit për më shumë se një vit - një situatë që zyrtarët në Ëashington e kanë cilësuar si të rrezikshme për sigurinë kombëtare.
Ndasia politike partiake e Washingtonit nënkuptonte se sfidat e sjella nga ligjvënësit republikanë në muajt pas nënshkrimit do ta kthenin procesin e ratifikimit në një luftë të hidhur.
Senatorët republikanë argumentonin se për shkak se traktati njeh një raport reciprok në mes të sistemeve sulmuese dhe mbrojtëse, mund të kufizojë planet amerikane për ndërtimin e mburojës raketore amerikane, të cilën Rusia e sheh me skepticizëm.
Disa republikanë po ashtu shfaqën shqetësimin se traktati tërheqë vëmendjen nga ajo që ata thanë se është domosdoshmëri -modernizimi i arsenalit bërthamor përballë kërcënimeve që vijnë nga Irani dhe Koreja Veriore.
Administrata e Obamës ka kaluar muaj të tërë që është ballafaquar me një nga liderët republikanë, senatorin John Kajl, madje ka dërguar një ekip në zyrën e tij në shtetin e Arizonës për ta bindur që të heqë dorë nga kundërshtimet.
Shtëpia e Bardhë po ashtu ndau 85 miliardë dollarë tjerë për modernizmin e komplekseve bërthamore të shtetit.
Shtytja për ratifikim përfshin edhe editoriale të shumta të gazetave, fjalimeve dhe letrave jo vetëm nga Obama, nënpresidenti Joe Biden e sekretarja e shtetit Hillary Clinton, por edhe nga liderë ushtarakë, ish-presidentë, ish-sekretarë shtetesh e të mbrojtjes si nga Partia Demokratike, ashtu edhe nga ajo Republikane. Trembëdhjetë republikanë kanë votuar pro traktatit.
Parlamenti rus, Duma, ka paralajmëruar se do ta ratifikojë sot traktatin START.