Nuk shihet fundi
Visar Zhiti në poezinë “Shkodër, (ri)varrimi i Gjergj Fishtës” nga libri “Thesaret e frikës” 2005 përmes nëntë vargjeve na jep madhështinë e pavdekshme të poetit, por vë në mëdyshje edhe atë që kishte ndodhur pas (ri)varrimit:
“Çka mund të bahet me to, o At veçse skeleti i dorës
që mbi dhé ka shkrue eposin e vdekun të t’gjallëve
e nën dhé eposin e gjallë të t’vdekunve”. Qëndrimi i Zhitit është dinjitoz, qorton dhunën e Piramidës që ishte ngritur duke shkelur dhe vlera kombëtare. Fatkeqësisht, Fishta ishte njëri nga të fyerit. Si duket, libri ynë kombëtar nuk dihet kur do të kryhet, në të ndodhin çudira të pabesuara. Më parë nga libri nxorën të padëgjueshmit dhe të “dyshimtit”, tani kërkohet t’i heqin ca të tjerë në emër të katarsisit; do të thotë se libri ynë kombëtar nuk dihet se a do të kryhet ndonjëherë. Ky akrobacion nacional ka shqetësuar dhe Dritëro Agollin. Në gazetën “Korrieri”, prill 2006 deklaron: “Ne vazhdojmë të mohojmë kulturën tonë dhe nuk mendojnë se do të vijë një kohë pak më vonë, kur do të pendohen, siç pendohemi ne sot për mohimin e Fishtës”. Botuesi dhe analisti nga New York-u Gjekë Gjonlekaj ka të drejtë që në vështrimet e tij ngrit në çështje arrogancën sllavo-otomane ndaj At Gjergj Fishtës, se nuk i jepet ende vendi i merituar poetit kombëtar në Panteonin shqiptar. Kjo ndoshta ndodh se ca nga ne ende nuk janë liruar nga hija e diktaturës.
Toleranca ndërfetare mbetet njëra nga stolitë tona. Na e kanë zili dhe të tjerët. Fishta kishte respekt për besimet shqiptare. Figurat historike nuk mund t’i ndante në myslimane e të krishterë. Në galerinë e tij kishte vend për të gjithë. Si dhe pse ndodhi te ne islamizmi dihet. Por ekziston frika se mund të vihet në pyetje lashtësia iliro-shqiptare. Pansllavizmi ka kohë që merret me të kaluarën dhe origjinën tonë, duke lançuar gënjeshtra gjithandej Evropës, pikërisht për lashtësinë dhe autoktoninë tonë. Ndodh luftë e heshtur për dominimin e hapësirës ballkanike.
Mirëpo, ne vazhdojmë të mbështesim se identiteti ynë mbetet ai evropian. Ky është realitet që nuk mund të ndërrohet për hir të askujt. Shkas ndoshta është njëra nga degët e besimeve tona që dëshmon për trungun nacional se kush jemi e nga vijmë. Të merremi tani me përkatësinë tonë të zgjidhur që në shekullin e nëntëmbëdhjetë nga rilindësit më bëhet se i fyejmë pararendësit tanë. Në këtë moment kurcial për Kosovën si duket ne shqiptarët i paskemi zgjidhur të gjitha problemet! Nënë Terezë na la një amanet që duhet ta kujtojmë shpesh: “Do ta doni Shqipërinë, aq sa do ta doni njëri-tjetrin” (30 prill 1993). Këtë e tha urtakja jonë që rrënon çdo kapadaillëk të adhamudhëve që zënë e na shtohen kudo dhe në institucione kombëtare; nuk mund të gjallërojnë përndryshe po qe se patriotizmin e tyre nuk e bartin nga një regjim në tjetrin. Lum e lum për injorancën luan qoke me një popull… Fishtën edhe për së vdekuri nuk e lanë të qetë, kufomën ja hodhën në lum, atë që kishte shkruar “Eposin e vdekur të t’gjallëve”, siç thotë Visar Zhiti.
Por libri ynë nuk dihet kur do të kryhet e kur do të pranë smira, të cilës nuk i shihet fundi.